
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ka bërë thirrje qeverisë dhe Bashkisë së Fierit që të ndihmojë fermerët të prekur nga përmbytjet.
Ai thotë se në të gjithë zonën përreth, përmbytjet e shkaktuara nga dalja e lumit Seman kanë goditur rëndë dhjetëra familje bujqësore.
Sipas Baçit, situata është dramatike pasi tokat bujqësore janë nën ujë dhe prodhimet e fermerëve janë shkatërruar.
Deputeti i bën thirrje Ministrisë së Bujqësisë që të marrin masa të menjëhershme për verifikimin e dëmeve dhe kompensimin e fermerëve, duke kundërshtuar deklaratat e institucioneve që flasin për “situatë nën kontroll”.
“Fermeri Erjon Gjojdeshi në fshatin Petovë, së bashku me shumë fermerë të tjerë të zonës, kanë pësuar dëme të konsiderueshme në prodhimet e tyre si pasojë e daljes së lumit Seman.
Fermerët i bëjnë apel institucioneve përgjegjëse, Bashkisë Fier dhe Ministrisë së Bujqësisë, të kryejnë detyrën e tyre, duke verifikuar dëmet e shkaktuara dhe duke dëmshpërblyer fermerët, në vend që të vazhdojnë me gënjeshtrat dhe propagandën e lodhur se ‘në Fier nuk ka probleme me përmbytjet’ dhe se ‘situata është nën kontroll’.
Në realitet, dëmet janë të mëdha dhe në disa zona banorët ndodhen në vështirësi serioze. Pikërisht në këto raste shteti duhet të tregojë përgjegjshmëri dhe seriozitet, gjë që fatkeqësisht, nuk e ka treguar kurrë.
Reagoni!”, shkruan Baçi në rrjetet sociale.
Lini një Përgjigje