“Është e qartë se shitësit nuk e kanë kuptuar mesazhin tonë, pasi çmimet vazhdojnë të rriten”...
Duke qëndruar para gazetarëve në sallën e konferencave të një hoteli të Zagrebit, Josip Kelemen, drejtuesi i platformës qytetare “Halo, inspektore” (Tungjatjeta inspektor), shpall pa hezitim vazhdimin e bojkotit.
Qytetarët kroatë këshillohen që këtë të premte të shmangin sërish dyqanet, qendrat tregtare dhe të gjitha shërbimet. Gjithashtu kërkohet që në 7 ditët e ardhshme të mos shkohet në dyqanet e rrjetit të supermarketeve Konzum, vendim i marrë nga vetë konsumatorët që morën pjesë në një anketë online (gati 150 mijë persona votuan në faqen e shoqatës).
“Ne do t’i bojkotojmë të gjitha marketet, njëri pas tjetrit”- shton Kelemen. Rebelimi i konsumatorit kroat nisi 3 javë më parë, kur filloi greva e parë e ushqimeve më 24 janar. Atë ditë, autoritetet tatimore të Zagrebit, regjistruan një rënie prej 53 për qind në shitjet e supermarketeve në krahasim me të premten e kaluar.
Një javë më vonë, gjatë bojkotit të dytë, pjesëmarrja ishte sërish e lartë, me një rënie prej 44 për qind në shitjet e dyqaneve. “Në Kroaci, çmimet e energjisë (benzina, gazi…) janë të fiksuara dhe puna nuk paguhet shumë mirë. Pra, ne duhet të blejmë më lirë se shumë vende të tjera perëndimore. Në fakt, çmimet këtu janë rritur me 50 apo edhe 100 për qind më shumë se në vendet më të pasura të Bashkimit Evropian”- thotë Josip Kelemen.
Që nga viti 2022, norma e inflacionit në Kroaci ka qenë mbi mesataren e BE-së dhe në janar të këtij viti, Zagrebi shënoi normën më të lartë në zonën e euros, duke arritur në 5 për qind të mesatares vjetore.
Konsumatorët kroatë fajësojnë për këtë situatë euron (e futur zyrtarisht në vend në vitin 2023), mungesën e mbikëqyrjes nga autoritetet publike, dhe mbi të gjitha tregtarët që sipas Kelemen i rrisin çmimet çdo verë (kur miliona turistë të huaj mbërrijnë në vend), por pa i ulur më pas.
Megjithatë, kjo teori nuk e bind ekonomisten Vedrana Pribičević nga Shkolla e Ekonomisë dhe Menaxhimit të Zagrebit. “Kjo është vetëm një pjesë e vogël e problemit.
Duhet të keni parasysh se në vitin 2024, shpenzimet publike në Kroaci u rritën në mënyrë dramatike, kryesisht për shkak të faktit se patëm 3 palë zgjedhje, dhe qeveria i rriti ndjeshëm pagat në sektorin publik. Më herët, pagat ishin rritur edhe në sektorin privat, si pasojë e mungesës së madhe të fuqisë punëtore në këtë vend”- thotë ekonomistja.
Pra ndikimi i turizmit është aty, por nuk është faktori i vetëm dhe as më i rëndësishmi. “Deri në pushtimin rus të Ukrainës, inflacioni në Kroaci ishte 2 për qind ose më Pak, dhe turizmi është në të njëjtat nivele të larta”- thekson më tej ekspertja. Ndërsa tani inflacioni në Kroaci është bërë “strukturor”.
“Shumica e ekonomistëve bien dakord se vendi tani po operon me një kapacitet prodhues maksimal. Ka mungesë të punëtorëve, të cilët jemi të detyruar t’i marrim nga jashtë. Prandaj pagat po rriten në sektorin privat, edhe sepse qeveria ka miratuar rritjen e pagave, me qëllim që t’i mbajë më të aftët në administratën publike”- thekson Vedrana Pribicevic, duke e pranuar se “gjithçka po rritet, nga çmimet në dyqane deri tek kostoja e punës”.
Cilido qoftë shkaku i inflacionit në Kroaci, mediat sociale janë plot me dëshmi dhe foto që tregojnë se të njëjtat produkte shiten shpesh me çmime shumë të ndryshme në supermarketet kroate, në krahasim me ato jashtë vendit, edhe kur janë të njëjtat rrjetet dyqanesh.
Josip Kelemen ka mbledhur disa nga këto raporte. “Për shembull, një shpëlarës për lavastoviljet në Gjermani shitet për 95 cent. I njëjti rrjet supermarketesh e ofron në Kroaci për çmimin 2.65 euro. Një shembull tjetër: një kafe e prodhuar në Kroaci shitet po këtu për 4 ose 6 euro për pako. Ndërkohë në Slloveni shitet 2 ose 4 euro”- thotë zëdhënësi i lëvizjes “Tungjatjeta inspektor!”.
Ai shton më tej: “Kam vënë se re një detergjent rrobash që ka të njëjtin çmim në Zagreb dhe në qendër të Nju Jorkut!”. Një pako 250 gramë kafe italiane pa kafeinë, e cila kushton rreth 5 euro në Itali, shitet për më shumë se 10 euro në Kroaci.
Përballë përhapjes së këtyre dëshmive, shumë konsumatorë e kanë humbur besimin tek supermarketet. “Mendoj se bojkoti është një hap më se i nevojshëm, në mënyrë që konsumatorët të mund të dëgjojnë zërin e tyre dhe të ndryshojnë gjërat në treg”- thotë Ana Koceić, një avokate e re që jeton në Zagreb.
Ajo thotë se i ka shmangur prej kohësh dyqanet, praktikat e biznesit të të cilëve i konsideron të padrejta. Në përgjigje të pakënaqësisë së konsumatorëve dhe përhapjes së “grevës kundër blerjeve”, qeveria e kryeministrit konservator Andrej Plenkovic vendosi më 30 janar të diktojë çmimet e 70 mallrave thelbësore.
Nisma bazohet në një vendim të shtatorit 2023, që kishte vendosur tashmë çmimet e 30 produkteve. Asaj liste i janë shtuar tashmë 40 artikuj të rinj. Por ajo masë i la kroatët të pakënaqur.
“Ne ndihemi si gjahu gjatë sezonit të gjuetisë. Të gjithë po na ndjekin dhe përpiqen të na marrin lëkurën”- thotë kreu i platformës “Tungjatjeta inspektor!”, Josip Kelemen, sipas të cilit qeveria në disa raste ka vendosur çmime më të larta se ato të tregut.
“Me pak fjalë, shitësit do të jenë sërish në gjendje të rrisin çmimet”- komenton ai me turp. Ndërkohë, lëvizja kroate e protestës së konsumatorëve ka fituar tashmë ndjekës në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Javët e fundit, bojkotet ndaj dyqaneve janë organizuar në Serbi, Bosnje Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe brenda pak ditësh do të ndodhin edhe në Kosovë. Në një konferencën për shtyp në Zagreb, Josip Kelemen tha se i gëzohet përhapjes së protestës.
“Ne jemi në kontakt me fqinjët tanë, dhe u ofrojmë mbështetjen dhe ndihmën tonë”- thotë Kelemen, që përfundon: “Ne jemi të gjithë konsumatorë!”./Pamfleti nga “Balcani Caucaso”
Lini një Përgjigje