
Nga skena e OKB-së në harresë: si u shua ideja e Ramës për ‘Vatikanin e Bektashinjve’
Në shtator të vitit 2024, kryeministri Edi Rama shpalli nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së një nismë të pazakontë: krijimin e një “Vatikan Islami” në zemër të Tiranës, një shtet të vogël që do t’i përkiste ekskluzivisht komunitetit bektashian. Sipas planit, “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi” do të shtrihet në një sipërfaqe prej 10 hektarësh, do të ketë administratë, kufij e pasaporta, por pa polici, ushtri apo regjim të veçantë fiskal. Rama e quajti “një shtet shpirtëror”, pjesë integrale e Kushtetutës shqiptare.
Deklarata, e dhënë fillimisht për The New York Times e më pas në sallën e OKB-së, u përhap menjëherë në mediat ndërkombëtare. Për Ramën, nisma ishte pjesë e narrativës së tij për Shqipërinë si model të tolerancës fetare në Ballkan, një rajon ku identitetet fetare kanë qenë shpesh shkak konfliktesh.
Kush janë bektashinjtë
Bektashinjtë përfaqësojnë një degë unike të mistikës islame, me rrënjë në shekullin XIII, të themeluar nga Haxhi Bektash Veli në Anadoll. Ata u lidhën ngushtë me trupat jeniçerë të Perandorisë Osmane, por pas shuarjes së tyre në 1826 u persekutuan rëndë. Në vitin 1925, Mustafa Qemal Ataturku ndaloi të gjitha urdhrat sufi në Turqi, dhe në 1929, qendra botërore bektashiane u zhvendos në Tiranë.
Në Shqipëri, bektashinjtë morën edhe një rol kombëtar. Në shekullin XIX, ata u bënë pjesë e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, duke promovuar një version liberal të Islamit që lidhte myslimanët dhe të krishterët në kërkesën për pavarësi kombëtare. Sot, bektashinjtë njihen për frymën e tyre tolerante: lejojnë konsumimin e alkoolit, nuk kanë rregulla strikte veshjeje, dhe doktrina e tyre ndërthur elemente të shiizmit, misticizmit dhe adhurimit dervish.
Ata pretendojnë se përbëjnë deri në 30% të popullsisë shqiptare, ndërsa të dhënat zyrtare i vendosin midis 5–10%. Në rang botëror, numri i bektashinjve vlerësohet nga 7 deri në 20 milionë, me komunitete të forta në Turqi, Greqi dhe SHBA.
Në historinë e Shqipërisë moderne, bektashinjtë kanë pasur marrëdhënie komplekse me pushtetin. Në fillim të regjimit komunist, disa prej tyre u përpoqën të afrohen me ideologjinë socialiste, duke e paraqitur bektashizmin si formë “moderne” të Islamit. Por në vitin 1967, kur Enver Hoxha shpalli Shqipërinë “shtetin e parë ateist në botë”, të gjitha teqet u mbyllën dhe kleri u persekutua. Ironikisht, komuniteti që dikur shihej si afër frymës së barazisë socialiste u shtyp nga i njëjti sistem që kërkonte ta shfrytëzonte.
Vizoni i Ramës dhe reagimet e brendshme
Rama e paraqiti krijimin e “Shtetit Sovran të Bektashinjve” si një projekt shpirtëror, jo politik, duke theksuar tolerancën fetare shqiptare. Ai përmendi shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, strehimin e afganëve pas rikthimit të talebanëve dhe figurën e Nënë Terezës për të ilustruar “humanizmin shqiptar” dhe për ta përdorur bektashizmin si shembull të Islamit pa fanatizëm.
Por reagimet në vend ishin të menjëhershme. Opozita, përmes Sali Berishës, e quajti projektin “një sultanat në zemër të Tiranës”, duke paralajmëruar se mund të kthehej në strehë për korrupsion dhe pastrim parash. Juristë të njohur paralajmëruan se projekti bie ndesh me Kushtetutën dhe rrezikon kohezionin shtetëror.
Reagime erdhën edhe nga jashtë. Turqia e shprehu hapur shqetësimin, ndërsa Irani e akuzoi Ramën për “keqpërdorim të bektashizmit për interesa perëndimore”. Marrëdhëniet Tiranë–Teheran janë të ngrira që prej sulmeve kibernetike të vitit 2022, dhe Shqipëria mbetet qendër e opozitës iraniane MEK, gjë që e ndërlikon më tej çështjen.
Në fillim, udhëheqësi shpirtëror Baba Mondi deklaroi se nuk ishte në dijeni të planit të Ramës, duke ngritur dyshime për një lëvizje propagandistike. Por më vonë ai e quajti nismën “mrekulli” dhe shprehu shpresën se SHBA dhe Perëndimi do ta njihnin shtetin e ri bektashian. Megjithatë, shumë bektashinj brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Baba Eliton Pashajn në Detroit, e kundërshtuan hapur idenë, duke e konsideruar “përvetësim politik të fesë”.
Në rrjetet sociale, propozimi u prit me ironi dhe skepticizëm. Shumë e panë si një tjetër “shfaqje” të Ramës për të larguar vëmendjen nga krizat e korrupsionit dhe dobësitë e qeverisë.
Pse gjithë kjo?
Projekti i “Vatikanit Islamik” mbetet në letër, por ka arritur një efekt të dukshëm: ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. A do të bëhet realitet, mbetet e pasigurt. Vendimi përfundimtar do të varet nga Parlamenti, shoqëria dhe njohja ndërkombëtare.
Për Ramën, bektashizmi është pjesë e strategjisë së tij të “soft power”, një diplomaci kulturore që kërkon të forcojë imazhin e Shqipërisë si vend i tolerancës dhe modernitetit. Me rreth 12 milionë ndjekës në Turqi dhe komunitete të rëndësishme në diasporë, bektashinjtë shërbejnë si mjet i butë për të rritur peshën diplomatike të Tiranës.
Por institucionalizimi i tyre si “mini-shtet” sjell rreziqe: mund ta shndërrojë një traditë shpirtërore tolerante në instrument politik. E ardhmja do të tregojë nëse bektashizmi do të mbetet urë kulturore ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, apo do të përfundojë si pjesë e lojës klienteliste të pushtetit në Ballkan. /Përshtati “Pamfleti” nga “Pulse-Z”
Sepse eshte si ballkani hapur, si diella qe do shuhet sh shpejt, si satelitet ne qiell,si uji 24 ore, si shendetsia falas, si gjithcka bosh qe ky kryeminister pacavure kokeloqe na servir. Shqiptaret duhet te kene te pakten minimumin e memories, per te mos u trajtuar si skllever. Kjo eshte qeverisja qe ka shell ne kete vend vetem drige beton para te pista dhe se fundmi kurveri. Shikoni Tiranen naten per te kuptuar ku po e cojme kete vend dhe ku po rritet brezi ri.