
Berisha në deklarata publike ka thënë se PD do të mbështesë përfaqësimin me një kandidat jo-politik, por disa herë përsëriti faktin se nuk është folur për emra konkretë, por thjesht për staturën që duhet të ketë kandidati.
Më 9 nëntor mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki, ku qytetarët do të ftohen të votojnë për kryebashkiakët e rinj, pas vakancave të krijuara për shkak të dorëheqjeve, shkarkimeve apo kandidimeve për deputet të atyre që morën mandatet në 2023-in. Zgjedhjet do të mbahen në Bashkitë e Tiranës, Vlorës, Tepelenës, Matit, Cërrikut dhe Beratit, që të gjitha të drejtuara nga socialistët e Edi Ramës.
Ndërsa fushata do të nisë në 1 nëntor, socialistët kanë zyrtarizuar emrin e Ogerta Manastirliut, deputetes dhe ish-ministres, që bëhet e para grua që synon drejtimin e Bashkisë në 35 vite të pluralizimit. Një tjetër kandidat i zyrtarizuar është Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë, i cili do të synojë drejtimin e Bashkisë për herë të dytë brenda dy viteve, pasi edhe në 2023 garoi në zgjedhjet e rregullta vendore.
Pak më komplekse paraqitet situata në atë që po tenton të formësohet si një kamp i gjerë opozitar, përtej koalicionit të 11 majit, ku Shqipëria Bëhet, Nisma Thurje, Mundësia, janë ulur në negociata me demokratët e Sali Berishës, për gjetjen e një kandidati jo-politik, por një figurë publike me integritet, me synimin për të fituar Bashkinë e Tiranës.
Berisha ka pranuar kushtet e ‘aleatëve’ të rinj, pra caktimin e një kandidati jo-politik, ndërsa pas kësaj pati një seri emrash që u vetëshpallën si kandidatura, disa të mbështetur nga subjekte politike dhe të tjerë që kërkojnë mbështetje.
Mundësia e Agron Shehajt ka propozuar Ermal Hasimen, politologun dhe profesorin, një figurë e njohur publike, që në 2005 iu bashkua PD-së si pjesë e KOP-it, por rreth 1 vit më pas u distancua me argumentin se do të vijonte studime.
Florian Binaj, aktor i njohur dhe protagonist në disa protesta të thirrura nga shoqëria civile, mbështetet nga Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt.
Fatos Lubonja, analist i njohur dhe një prej kritikëve të fortë të Edi Ramës, por në periudha të caktuara edhe të Sali Berishës, është hedhur si propozim nga Alfred Lela, drejtor i komunikimit në PD.
Edlira Çepani, aktiviste e shoqërisë civile dhe bashkëshortja e ish-deputetit të ndjerë Gerti Bogdani, gjithashtu është artikuluar si një prej kandidateve të mundshme, e propozuar nga partia ‘Mundësia’, gjatë negociatave me PD-në.
Më pas janë vetëshpallur si kandidatë Agron Haxhimiali, ekspert për pushtetin vendor, dhe Gylsen Zhllima, avokat, të cilët i janë shtuar listës së kandidatëve të pavarur, ndërsa kërkojnë mbështetje.
Ndërkohë janë një seri emrash të tjerë, figura të njohura, që raportohet se i kanë demokratët dhe do të hidhen për diskutim me partitë që kanë propozuar dhe mbështesin daljen me një kandidat të pavarur.
Berisha në deklarata publike ka thënë se PD do të mbështesë përfaqësimin me një kandidat jo-politik, por disa herë përsëriti faktin se nuk është folur për emra konkretë, por thjesht për staturën që duhet të ketë kandidati. Dhe në kushte të tilla pikëpyetja është nëse PD e drejtuar nga Berisha do të mbështesë një nga emrat që qarkullon, apo ka emrin e saj, dhe do të synojë të marrë mbështetjen e partive të tjera.
Por edhe nëse listës së të pavarurve që janë sot në qarkullim si kandidatë nuk do t’i shtohet ndonjë emër i ri, sërish pyetja është: cilin nga kandidatët do të mbështesë Berisha?
Dhe më pas pyetja tjetër që vjen është: a do të pranojë Agron Shehaj të mbështesë një kandidat që propozon Adriatik Lapaj ose anasjelltas, nëse PD e Berishës nuk i suprizon me një tjetër emër që mund t’a ketë si ‘as nën mëngë’. /Pamfleti/
Titulli i "shkrimit" linte te nenkuotonte se ju do nxirrnit emrin e kandidatit qe do Berisha. C'beni ju?? Nuk thoni emrin! Por ofroni nje "lavatrice" te gjerave qe ka dite qe dihen!! Cfare eshte pra ky shkrim? Lajm? Jo e jo!!! Analize??? Jo e jo!!! Tallje me lexuesin??? Po e po e po!!!!