
Avokati mbrojtës, Genc Gjokutaj ka dhënë argumentet e tij se përse Sali Berisha nuk ka qenë i pranishëm ditën e sotme në GJKKO. I ftuar në emisionin “Debat” me Alba Alishani, Gjokutaj tha se nuk ka ende një vendim gjykate të zbardhur që e detyron Berishën të paraqitet në seancës. Ajo që ai quan skandaloze, është se ky vendim as nuk është firmosur dhe as nuk është depozituar në sekretari siç ligji e parashikon, por pretendon se ky dokument mbetet në sirtarin e gjyqtares Irena Gjoka.
Gjokutaj, vijon argumentin e tij duke thënë, se ajo që e bën edhe më anti-Kushtetuese këtë vendim, është fakti që vjen nga një gjyqtare që pala mbrojtëse ka kërkuar përjashtimin e saj me argumentin se ka shkelur detyrën. Mirëpo, përtej kësaj kërkese të bërë nga mbrojtja, Irena Gjoka vijon gjykimin e çështjes Berisha lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
“Gjykata akoma, për qëllime të saja nuk e ka zbardhur këtë vendim që detyron Berishën, ai nuk mund të shkelë Kushtetutën dhe ligjin, ky vendim që është marrë në mungesën tonë të mbrojtjes, nuk është zbardhur akoma, si mund të jetë detyrues, kur është akoma në kompjuterin e gjyqtares, nuk është firmosur, nuk është depozituar në sekretari. Nuk kemi vendim gjykate, ky vendim është anti-kushtetues, sepse është marrë nga një gjyqtare që është ngritur kërkesa për përjashtimin e saj, por ndërkohë vazhdon gjykimin, kjo gjykatë ka kryer shkelje flagrante prandaj vendimi i saj është i pavlefshëm. Ne do e apelojmë, por po presim vendimin final, që kjo gjyqtare nuk e zbardh”, tha Gjokutaj.
Ai refuzoi që të zbulojë bazat mbi të cilën po realizohet mbrojtja, por tha se prezenca e avokatëve në sallë ka një qëllim.
“Duhet të kuptojmë se ligji nuk është shkelur nga zoti Berisha, por nga kërkuesi dhe nga gjykata që ka pranuar një kërkesë antikushtetuese dhe të paligjshme në kërkim të kompetencës së ushtruar. Edhe agravimi i masës, që diskutohet me shumë zjarr, e kanë shumë për qejf këtë punë, duhet të kuptoni se kjo masë nuk ekziston në kuptim të ligjit, pasi nuk ekziston vendimi në kuptim të ligjit. Është një vendim i marrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin procedural penal dhe si e tillë është inekzistente. Pra kur kemi të bëjmë me një vendim nul, që do të thotë zero çdo kufizë tjetër që shumëzohet është nul. Duhet të ketë një masë të marrë sipas ligjit, që më pas të thuash se kjo është e papërshtatshme, ose ka shkelur ligjin dikush dhe duhet përforcuar me masa të tjera”, tha ai.
Lini një Përgjigje