TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Maj 2026, 20:18

Berisha paralajmëron revoltë: 8 maji do jetë dita e kundërshtimit të regjimit!

Shkruar nga Pamfleti

Berisha paralajmëron revoltë: 8 maji do jetë dita e

Kreu i PD Sali Berisha ka bërë sërish thirrje qytetarëve t'i bashkohen protestës së 8 majit. Ai e ka cilësuar këtë datë si një moment vendimtar për reagimin qytetar në vend.

Në një fjalim të mbajtur para Kryeministrisë, Berisha tha se protesta është kryengritje paqësore dhe një lëvizje që, sipas tij, tejkalon kufijtë politikë dhe partiakë.

“Të dashur miq, ne mblidhemi sot në këtë shesh në prag të datës 8 maj, datës së kryengritjes tonë paqësore. 8 maji është data e protestës tonë të madhe. Është data e revoltës. Por, protesta e datës 8 maj do të jetë një protestë si asnjëherë më parë”, u shpreh Berisha në fillim të fjalës së tij.

Ai e lidh këtë thirrje me situatën q është krijuar në vend gjatë viteve të fundit, duke përmendur ndikimin e krimit dhe drogës në institucione dhe ekonomi.

“Pasojat e 13 viteve të narkoshtetit, ku krimi dhe droga kontrollojnë pothuajse çdo aspekt të jetës. Ku krimi dhe droga kontrollojnë shtetin. Ku paratë e drogës kontrollojnë ekonominë”, deklaroi ai.

Në vijim, Berisha kritikoi edhe rolin e mediave, duke i akuzuar ato për mungesë pavarësie.

“Ku mediat kryesore kombëtare të kontrolluara të vendit janë shndërruar në altoparlantë të Edi Ramës, organe të mashtrimit dhe manipulimit të qytetarëve, organe të korruptimit të gjuhës tonë të bukur, gjuhës shqipe”, tha ai.

Sipas tij, këto zhvillime kanë ndikuar negativisht në shoqërinë shqiptare.

“Ku antikultura e drogës dhe krimit po mbivendosen mbi traditat tona të hershme të mrekullueshme. Të gjitha këto kanë vendosur shoqërinë shqiptare në një prej situatave më kërcënuese në historinë e vendit, me pasoja të tmerrshme që i jetojmë çdo ditë”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se protesta e 8 majit nuk do të jetë një protestë partiake, por një reagim qytetar i gjerë.

"Prandaj protesta e 8 majit nuk do jetë një protestë politike. Nuk do jetë një protestë e një apo disa partive. Protesta e 8 majit nuk do jetë protestë për një kauzë. 8 maji do të jetë kushtrimi i ndërgjegjes së shqiptarëve”, deklaroi ai.

Berisha shtoi se protesta synon të mbrojë interesat themelore të qytetarëve. “Do të jetë protestë për dinjitetin e shqiptarëve. Do të jetë protestë për familjen, për vogëlushët tanë, për jetën, sigurinë dhe të ardhmen e tyre”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, ai ngriti akuza edhe për mënyrën se si, sipas tij, funksionon drejtësia në vend, duke pretenduar standarde të dyfishta në trajtimin e qytetarëve dhe zyrtarëve.

“Për 13 vite, Edi Rama ka poshtëruar shqiptarët, i ka burgosur ata për fatura dritash, për një dozë kanabis për konsum vetjak, tani edhe për parkim të gabuar do burgosen”, tha Berisha.

Berisha akuzoi gjithashtu mazhorancën për ndërhyrje në proceset e drejtësisë.

“Por Edi Rama dhe Lubia përdorën 83 mandatet e parlamentit të krimit për të mbrojtur veten e tij, për të ndaluar drejtësinë, një akt i padëgjuar dhe i paimagjinuar në 34 vite pluralizëm politik”, u shpreh ai.

Lini një Përgjigje