Teksa kandidimi i Bashës u rikonfirmua dje për zgjedhjet e kryetarit të ri, ish kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar një bashkëpunim me sekretarin e përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se qëndrimet e tij dhe të Gazment Bardhit sa i përket kandidatit të opozitës për kryeministër janë pranë njëra-tjetrës.
Në konferencën e përjavshme me gazetarët, ish kryeministri është pyetur në lidhje me qëndrimet e Bardhit, i cili ka deklaruar se nuk bashkohet me Berishën nëse ai do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2025, ndërsa Berisha tha se nëse PD del fituese, kandidati për kryeministër do të dalë nga primaret e demokratëve.
Pyete: Bardhi deklaroi se me Sali Berishën kandidat për kryeministër në 2025 nuk do ti bashkohet grupit tuaj. Do të jeni kandidat në 2025 apo mund të nxirrni një kandidat tjetër?
"Nuk jemi larg me Gazin në këtë rast. Unë kam deklaruar se edhe pasi të fitojë zgjedhjet PD, do ketë votim primaresh për kryeministër. Nëse shqiptarët votojnë masivisht Sali Berishën për kryeministër, çdo demokrat do t'i nënshtrohet votës. Por këtë detyrim e ka Sali Berisha, do ketë një votë për kryeministër. Do të ketë votë për kryeministrin. Asnjeri nuk mund ta kundërshtojë votën masive për mua, ta zëmë.", u shpreh Berisha.
Kujtojmë se Kryesia e Partisë Demokratike vendosi të mbajë zgjedhjet për kryetar në 29 Korrik. Gazment Bardhi, i cili krahas detyrës së kreut të Grupit Parlamentar mban edhe atë të Sekretarit të Përgjithshëm ka paralajmëruar se çdo vendimmarrje në shkelje të statutit e bën nul procesin. Sipas Bardhit, vendimi i shumicës në Kryesi duhet të kalojë në forumet më të larta drejtuese të kësaj force politike.
“Do të duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD. Unë e kam kërkuar brenda Kryesisë, kam marrë një përgjigje informale që nuk do të mblidhet. Nëse nuk ndodh, atëherë nuk do të kemi zgjedhje për kryetarin e partisë në datën 29 Korrik. Unë nuk e kuptoj, interes i kujt është që të fusim edhe njëherë tjetër, një ngërç ligjor në PD. Është pikërisht ky ngërç që e ka mbajtur zvarrë PD gjatë gjithë kësaj periudhe”, ka thënë Bardhi.
Më tej, Bardhi ka delaruar se nuk ka asnjë kompeks për t’u ulur me këdo për bisedime në emër të bashkimit të demokratëve, qoftë ky edhe Sali Berisha, por ardhmërinë e Partisë Demokratike nuk e sheh të lidhur me individë të veçantë, duke i mëshuar idesë se, pa forcuar bazën, në zgjedhjet e 2025 PD do shkojë drejt asgjësimit si forcë politike.
“Interesi më i mirë i demokratëve është që PD të futet në një proces real riorganizimi, me anëtarët e PD që rruga që po ndjekin, secili segment brenda PD, është rrugë e gabuar”, vijoi Bardhi.
I gatshëm është të sakrifikojë çdo pozicion drejtues, teksa kolegët e tij në dy grupimet i fton të ngrihen mbi interesat personale në emër të bashkimit.
“Nuk kam asnjë ambicie, madje jam i gatshëm të heq dorë nga çfarëdolloj pozicioni, vetëm e vetëm që t’i hapet rrugë një forcimi të PD”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje