
Pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, Partia Demokratike ndodhet në një situatë të vështirë politike dhe organizative, sipas Kreshnik Çollakut. Në një intervistë, ai theksoi se produkti i një “farse elektorale” nuk mund të përkthehet në një përfaqësim normal në Parlament.
“Përgjigja ndaj një farse elektorale… nuk mund të jetë përfaqësimi në Parlament i një grupi totalisht të pavlefshëm dhe të parëndësishëm. Nëse opozita fillon jetën normale duke bërë interpelanca për bujqësinë apo kodin rrugor, beteja për farsën elektorale kthehet vetë në farsë. Nuk jam për refuzim të mandateve, por për bllokim të tyre, të shkojnë vetëm ditën e parë për t’i marrë, pastaj pas 6 muajsh, vetëm për të mos i djegur”, u shpreh Çollaku.
Ai vlerësoi rolin e Sali Berishës si faktor politik, por theksoi se kreu i PD-së ndodhet “në vështirësi të madhe” për shkak të përçarjes së partisë dhe interesave të ngushta të disa deputetëve. “Berisha është thuajse aktori i vetëm që solli 500 mijë vota për PD-në, por konflikti i brendshëm ka dalë jashtë kontrollit. Fryma sektare në parti e ka paralizuar veprimin opozitar. Ka ardhur koha të ndryshohet status quo-ja dhe Berisha ka peshë historike në këtë proces”, deklaroi ai.
Çollaku kërkoi bashkim të demokratëve dhe një riorganizim urgjent të strukturave, duke paralajmëruar se vetëm me 400-500 mijë vota nuk mund të fitohet pushteti. “Berisha si faktor politik është vendimtar, por duhen dyfish vota për të ardhur në pushtet. Ndaj këto procese janë jetike dhe nuk mund të shtyhen më”, përfundoi Çollaku.
Lini një Përgjigje