Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si përgjegjëse për vjedhjen e qytetarëve dhe përkeqësimin e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Në një takim me krerët e PD në Tiranë, ai ju përgjigj akuzave të Ramës se opozita nxin vendin në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, problemi nuk qëndron tek opozita, por tek mënyra se si qeveriset vendi.
“Në vend që të sulmojnë qeverinë që vjedh qytetarët, përpiqen të gjejnë fajin tek opozita. Rëndom shprehen se po nxirrni, se ne denoncojmë Shqipërinë në forumet botërore. Por Shqipërinë e nxijnë ata që vjedhin qytetarët, ata që bllokojnë drejtësinë”, deklaroi Berisha.
Ai ngriti pyetjen se kush dëmton realisht interesat e vendit, duke shtuar: “Kush e nxin Shqipërinë? Ai që mbron interesat e qytetarëve, apo ai që përdor pushtetin për t’u pasuruar me miliarda. Ne po mbrojmë interesat e shqiptarëve”.
Berisha përdori tone të ashpra ndaj mazhorancës, duke e krahasuar me praktika të së kaluarës: “Nuk ka horra si këta, janë identik me mentalitetin e diktaturës së mëparshme”.
Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te procesi i integrimit në Bashkimin Europian, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve. “Ne po shkojmë drejt integrimit të BE dhe kjo do të thotë standarde të përbashkëta, por nëse ecën në kundërshtim me këto, ato janë vetëm për një qëllim që qytetari shqiptar të jetë më i lirë dhe sigurt”, u shpreh ai.
Kreu i PD akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për deformim të këtyre standardeve dhe për qëndrime që, sipas tij, nuk përputhen me interesin publik. “Tani duke zëvendësuar këto kritere për të shkëlqyerin Edi Rama…i cili thotë se shqiptarët kanë kulturë pengmarrjen”, tha Berisha.
Në vijim, ai ngriti akuza konkrete për çështje të administrimit të pronave dhe funksionimit të institucioneve. “Grupi me në krye Edi Ramën ka bërë krim të shëmtuar me Kadastrën e Shqipërisë. Vetëm nga Kadastra e Tiranës u zhdukën 13 mijë fletë”, deklaroi ai, duke shtuar se operacionet në këtë sektor “tejkalojnë miliarda”.
Sipas Berishës, mënyra e trajtimit të pronave ka qenë e tillë që gjurmët e pronësisë të humbasin: “Prona i është transferuar X, atij X i është thënë do ia çosh tjetërkujt derisa të zhdukej çdo gjurmë për pronën”.
Ai përmendi edhe raste të tjera që, sipas tij, lidhen me abuzime, duke përfshirë edhe çështje të ngritura më parë nga opozita: “Vetë Edi Rama me kanionin e Gjipëse…Kujtojmë kur e ngritëm çështjen”.
Lini një Përgjigje