
Ish kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, është më i hapur se shumë të tjerë në PD-në e rithemeluar për të pranuar se humbja ishte edhe rezultat i konfliktit të brendshëm në PD.
Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH, Këlliçi renditi edhe disa nga arsyet pse gara e Tiranës ishte e pabarabartë, që nga financat, logo, përdorimi i paligjshëm i pushtetit nga kundërshtari, minutazhi 8 herë më pak në disa media, mungesa e komisionerëve, numëruesve.
Këlliçi pranon idenë e Jorida Tabakut dhe Gazment Bardhit, se duhen bërë përpjekje për t’u bashkuar, por ai nuk pranon që të mos njihet mekanizmi i votës në PD.
“Edhe Gazment Bardhi, edhe Jorida Tabaku të vërtetën thonë, se duhet të ulemi për një bashkim dhe unifikim të opozitës për të folur për një bashkim të opozitës, ku fokusi kryesor duhet të jetë rrëzimi i Edi Ramës dhe lufta me njëri- tjetrin. Opozita bashkohet nga ata drejtues që anëtarët i zgjedhin vetë për t’i drejtuar. Të futen dhe të provojnë veten me votë. Duhet pranuar mekanizmi i votës. Secili ka aksionet e veta. Pse i thuhet ik një njeriu që ka aksionet më të mëdha? Atëherë eja dhe munde”, tha Belind Këlliçi.
Ai pohon pamjaftueshmërinë e zotit Berisha për të sjellë në pushtet PD, por nuk vë në diskutim lidershipin e tij, përsa kohë ka votëbesimin e anëtarësisë.
“Jo, zoti Berisha nuk është i mjaftueshëm për të çuar PD në fitore. Duhet shumë herë më shumë se zoti Berisha. Ata që nuk e pranojnë janë shpallur “non grata” nga baza. Të zbresin në bazë dhe të pyesin bazën. Të shohin realitetin në terren. Këta nuk e pranojnë votën. Futu dhe munde Berishën me votë. Mendoj që një politikan e largon vota. Përsa kohë nuk është i votueshëm, duhet të largohet. Në PD, kushdo që do që të largojë zotin Berisha, ta mundë me votë”, tha Belind Këlliçi.
Lini një Përgjigje