Sot deputetët dhe ministrat notojnë mbi pasuri dhe askush nuk është verifikuar në themel...
Bashkimi Europian ka filluar ta kuptojë se lepuri fle te pasuria kur vjen puna te korrupsioni në nivelet e larta. Mjafton të shohësh pasuritë e deputetëve, ministrive dhe zyrtarëve të tjerë për të kuptuar se kush ka vjedhur dhe kush jo. Por që kur në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive u vendos Evgjeni Bashari, ka rënë qetësia në politikë. ILDKP-ja ia ka varur fare punës dhe merret me ndonjë drejtor tek-tuk.
Mirëpo, sot ka ardhur një ultimatum nga Bashkimi Europian. Ambasadori Silvio Gonzato, i cili foli gjatë takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE, ka kërkuar që të verifikohet pasuria e politikanëve. Sipas tij, ky element është shumë i rëndësishëm në rrugën drejt BE-së.
“Në fushën e korrupsionit, masat e kërkuara përfshijnë verifikimin efektiv të deklaratave të pasurisë. Kodi Penal duhet të ndryshohet, përfshirë dekriminalizimin e shpifjes. Të drejtat e medias, liria e shprehjes, siguria e gazetarëve dhe financimi i shtresave në nevojë duhet të fuqizohen”, tha Gonzato.
Mesazhi i tij ishte një shuplakë për ILDKP-në, e cila ka ulur ndjeshëm kallëzimet. Sot deputetët dhe ministrat notojnë mbi pasuri, dhe askush nuk është verifikuar në themel. Ilir Meta kishte gjithë jetën që deklaronte pasuri sheiku dhe u desh të ndërhynte SPAK për ta zbuluar, pasi ILDKP nuk e vinte ujin në zjarr. E njëjta gjë ndodhi edhe me disa zyrtarë të tjerë.
Më tej, Gonzato shtoi se mbyllja e kapitujve është një sfidë më e madhe se hapja e tyre dhe se aktualisht fokusi është tek përmbushja e piketave të përkohshme të vendosura nga shtetet anëtare si provë e vendosmërisë për reformat e nevojshme.
“Shqipëria ka hapur 5 nga 6 grup-kapitujt negociues dhe puna po vazhdon për të hapur grupimin e fundit mbi bujqësinë përpara fundit të këtij viti. Ky është një sukses i qartë për Shqipërinë, por është vetëm fillimi, sepse në fakt është fundi i fillimit. Mbyllja e kapitujve është një ushtrim shumë më i vështirë sesa hapja e tyre. Aktualisht, vëmendja është përqendruar tek përmbushja e piketave të përkohshme, me objektivat e ndërmjetme që shtetet anëtare i kanë përcaktuar Shqipërisë si provë e vendosmërisë së saj për reformat e nevojshme”, theksoi Gonzato. /Pamfleti
Lini një Përgjigje