Pas 13 vitesh kontratash pa garë dhe asetesh të dhëna me “qitap” qeveritar, kryeministri e shet si evolucion atë që Brukseli ia imponoi si kusht të panegociueshëm...
Edi Rama, në mënyrë dinake, doli dje në një konferencë në Kryeministri, ku deklaroi se do të rrëzohet ligji i miratuar me aq bujë në fillim të mandatit të shkuar: ai i investimeve strategjike.
Rama e trajtoi këtë akt si një rutinë, si një evolucion që erdhi si pasojë e kohës, por realiteti është krejt tjetër.
Në tryezën e fundit të vitit të shkuar, Komisioni Europian i paraqiti si kërkesë të panegociueshme bllokimin e të gjitha nismave financiare që lidhen me amnistinë fiskale, si dhe shfuqizimin e ligjeve, vendimeve të qeverisë apo akteve të tjera nënligjore që kanë të bëjnë me dhënien e lejeve apo kontratave qeveritare me të drejta ekskluzive.
Pra, me dhënie tenderash pa garë.
Pikërisht këtë Edi Rama, si kryeministër, e ka pasur si bazë të qeverisjes së tij në 13 vite: kontrata rrugësh pa garë, kontrata investimesh strategjike pa garë, kompani të paracaktuara që janë favorizuar me lehtësira dhe infrastrukturë nga shteti.
Sot, Rama deklaroi se kjo politikë ka marrë fund, duke e shitur si vullnet të tij. Në të vërtetë, është një kërkesë e panegociueshme e Brukselit, për të cilën kreu i qeverisë nuk ka pasur mundësi zgjedhjeje.
Por këtu nis problemi dhe drama e Shqipërisë.
Me këtë akt, së paku politikisht, Edi Rama ka falimentuar, sepse u ka shitur shqiptarëve për vite me radhë një politikë menaxhimi abuzive dhe të padrejtë.
Ai, dhe vetëm ai, mori të drejtën për të ndarë “fermanët” si sulltani në kohën e osmanëve: të jepte spaletat e spahinjve dhe jeniçerëve, të shoqëruara me qitapë kadastralë, përmes të cilëve njerëz të lidhur me të kanë gllabëruar asetet më të mira kombëtare.
Ndërkohë, kadastra shqiptare është një gërmadhë, ku nuk gjendet e sistemuar siç duhet asnjë metër katror tokë apo truall sipas pronarit dhe ligjit.
Këtë dështim që Edi Rama po e shet si transformim, fatkeqësisht nuk po arrin ta orientojë apo ta adresojë publikisht askush nga politika shqiptare.
Në fakt, këtë e ka bërë Europa, e cila së shpejti, ashtu siç ka vepruar edhe me Sali Berishën dhe Ilir Metën, do të dërgojë faturën e duhur dhe të plotë për shkeljet dhe abuzimet në rrafshin penal.
Por kjo fazë i përket një konteksti tjetër. Thelbi qëndron te ana politike.
Thuajse të gjitha shtyllat e qeverisjes së Edi Ramës janë rrëzuar me turp dhe shumica e tyre janë ndëshkuar nga drejtësia e re: nga PPP-të e shëndetësisë, te infrastruktura, e deri te megaskandali i AKSHI-t.
Nëse Edi Rama do të kishte burrëri politike, si për shembull Erdogani, nga i cili kopjoi modelin, apo edhe pjesërisht si Viktor Orbani, do t’i mbronte këto politika, sepse ishin politikat e tij.
Erdogani ka mbijetuar politikisht duke mbrojtur me forcë vendimet e veta. Orbani, edhe kur u rrëzua pas shumë vitesh pushtet, ende i mbron politikisht politikat e tij.
Edi Rama, duke mos pasur kurajon t’i mbrojë apo të shpallë falimentimin që ka ndodhur, e quan këtë “evolucion”.
Sot është dita kur kushdo që e quan veten kritik, oponent apo opozitar, duhet t’ia përplasë këto dështime në fytyrë.
A ka më shumë se kaq arsye për ta larguar?/Pamfleti
Ky shkaterrimtar duhet te jete ke ai kafazi i xhamit per te gjitha maskaralleqet, zullumet, grabitjet dhe cdo gje te piset qe i ka bere ketij vendi dhe qytetareve.
ai duhet me qen atje, po kta hajdutat ne qeveri pse nuk i permend zotnia jote me keq se sot nuk ka qen e vjedh shqipria o met , po ti do jesh ndonji nga ata te AKSHI
Rama tani është udhëheqësi absolut. 100% e vërtetë që Berisha krijoi një "autokrat Edi". Pra, Edi përfaqëson interesat e krahut të djathtë dhe të krahut të majtë. 2 shalqinj nën 2 krahë! Ai është vetëm në depo gruri! A është budalla që nuk ha pak?