TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Qershor 2025, 12:32

BE bllokon fondet për bujqësinë deri në 2026: Dosja “Krifca” hedh në erë Edi Ramën

Shkruar nga Pamfleti

 

BE bllokon fondet për bujqësinë deri në 2026: Dosja
Edi Rama dhe Frida Krifca /

Pasi OLAF dhe EUROJUST dorëzuan kallëzimet në SPAK, hetimet për vjedhjen e 138 milionë eurove IPARD u bllokuan. Frida Krifca u gradua në Kryeministri, ndërsa fermerët mbeten pa mbështetje dhe fondet europiane u ndalën si ndëshkim për korrupsionin e pandëshkuar...

Bashkimi Europian nuk tërhiqet nga vendimi për bllokimin e fondeve për fermerët shqiptarë, për shkak të korrupsionit dhe abuzimeve të rënda të konstatuara në përdorimin e fondeve IPARD nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR). Miliona euro janë dhënë jo për bujqësi, por për biznese jo-agrare të lidhura me kupolën e pushtetit, duke përfshirë oligarkë, trafikantë dhe kryebashkiakë.

Këtë herë, BE e ka vënë zyrtarisht në dijeni kryeministrin Edi Rama se Shqipëria nuk do të përfitojë fonde bujqësore as për vitin 2026, duke theksuar se një nga arsyet kryesore është mosndëshkimi i abuzimeve me 138 milionë euro të fondit IPARD për periudhën 2017–2021.

Ndërsa publikisht mund të thuhet se fondet janë në hetim nga SPAK dhe se drejtësia është e pavarur, faktet tregojnë të kundërtën.

Qeveria shqiptare jo vetëm që nuk ka bashkëpunuar me OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit) dhe EUROJUST, por në fillim u përpoq të pengonte edhe aksesin e tyre në dokumentacionin zyrtar të AZHBR dhe të Ministrisë së Bujqësisë.

Vetëm pas presionit të vazhdueshëm nga Brukseli, qeveria hapi dosjet, por nuk bëri asnjë kallëzim penal në SPAK dhe nuk ndërmori asnjë masë administrative për ndëshkimin e përgjegjësve.

Përkundrazi, kryeministri Edi Rama e emëroi ish-drejtoreshën e AZHBR dhe ish-ministren Frida Krifca si këshilltare në Kryeministri, ndërsa bashkëpunëtorët e saj të afërt u sistemuan në pozita të reja në ministri të ndryshme. Deri më sot, qeveria nuk i ka dorëzuar Këshillit të Europës raportin zyrtar për këtë çështje, siç kërkohet në mënyrë formale nga Komisioni Europian.

Mosveprimi i institucioneve dhe mbrojtja politike e personave të përfshirë, sipas burimeve të Brukselit, dëshmojnë se në këtë aferë nuk është e fortë Frida Krifca, por vetë kryeministri Edi Rama, i cili e ka drejtuar dhe menaxhuar këtë strukturë grabitjeje, duke shpërndarë fondet bujqësore të BE-së si plaçkë për klientelën e tij; për ndërtim kullash, hotelesh dhe resortesh, dhe jo për zhvillim rural. Ndër përfituesit përmenden emra si Gjergj Luca, Tërmet Peçi, si dhe të tjerë që kanë përdorur paratë e fermerëve për investime në zonat më të shtrenjta bregdetare.

Pikërisht për këtë arsye, këtë herë BE nuk i është drejtuar më SPAK-ut, pasi ka humbur besimin tek hetimi vendor. Në vend të kësaj, ka zgjedhur t’i drejtohet vetë Edi Ramës me një vendim politik: fondet mbeten të bllokuara edhe në vitin 2026, për shkak të zvarritjes së qëllimshme të hetimeve për dosjen “Krifca–AZHBR”.

Duhet theksuar se që në shkurt dhe prill të vitit 2023, OLAF dhe EUROJUST i kanë dorëzuar kallëzimet penale në SPAK, të shoqëruara me dosje të plota hetimore. Por ato janë lënë në heshtje. Sipas burimeve të “Pamfleti”-t, vetëm 10 ditë pas kallëzimeve, BKH nisi hetimet paraprake, por brenda një muaji gjithçka u bllokua pa asnjë njoftim apo akt zyrtar.

Më 25 mars 2024, OLAF i dërgoi një letër zyrtare drejtuesit të SPAK, Altin Dumanit, duke kërkuar që hetimet për këtë dosje të mbylleshin brenda muajit prill 2024. Por edhe pas këtij paralajmërimi të drejtpërdrejtë, asgjë nuk ka ndodhur. Hetimet janë ngrirë dhe dosja po mbahet e bllokuar.

Kjo heshtje nuk është rastësi. Sipas të njëjtave burime, në dosjet e OLAF-EUROJUST dhe në dokumentacionin e AZHBR-së del e qartë implikimi i drejtpërdrejtë i kryeministrit Edi Rama, së bashku me një listë oligarkësh, trafikantësh, familjarësh dhe zyrtarësh të lartë të shtetit. Nëse SPAK do të lejonte hetimin real të kësaj dosjeje, do të duhej të përfundonte në zyrën e kryeministrit dhe më pas në gjykatë, gjë që është e papranueshme për strukturën aktuale të pushtetit.

Ndaj, për shkak të bllokimit të hetimeve nga qeveria dhe SPAK, BE ka marrë një vendim të prerë politik: fondet për bujqësinë do të qëndrojnë të bllokuara edhe në vitin 2026. Dhe kësaj radhe, nuk do të paguajnë përgjegjësit e vërtetë; por qindra mijëra fermerë shqiptarë, të cilët do të mbeten pa mbështetje, pa investime dhe pa shpresë për zhvillim rural. Sepse një grusht njerëzish zgjodhën të ndajnë miliona si plaçkë, në vend që t’i investonin për jetën dhe punën e atyre që e mbajnë në këmbë tokën e këtij vendi./Pamfleti

edi rama frida krifca ipard be

Lini një Përgjigje