TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Qershor 2025, 18:16

Fatmir Mediu kërkon t’i shpëtojë Gërdecit me takime të paguara në SHBA, presion GJKKO-së përmes 6 kongresmenëve

Shkruar nga Pamfleti

Fatmir Mediu kërkon t’i shpëtojë Gërdecit me takime

Gërdeci, Mediu kërkon të sjellë dëshmitarë nga SHBA...

Zbulohet arsyeja kryesore pse Fatmir Mediu çdo muaj shkon në SHBA dhe hedh në Facebook foto të kapura në ndonjë cep godine a lulishte.

Fatmir, gjithë këto muaj, ka lobuar fort për të siguruar sadopak mbështetje për gjyqin e Gërdecit. Teksa po afron fundi i gjyqit, Mediu po tenton të përdorë disa kongresmenë të paguar për të ushtruar presion ndaj drejtësisë shqiptare.

Këtë të mërkurë u mbajt seanca e radhës në GJKKO për “Gërdecin”, dosje në të cilën ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është nën akuzë për shpërdorim detyre dhe shkelje të procedurave në ngritjen e fabrikës së demontimit.

Gjatë seancës, Mediu kundërshtoi akt-ekspertizën e paraqitur nga grupi i ekspertëve. Ish-ministri kërkoi që gjykata të marrë parasysh dëshmitë e personaliteteve politike dhe ushtarake të kohës, të dhëna në SHBA, duke vënë në dijeni edhe për një letër që 6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar Ministrisë së Drejtësisë.

6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, ku kërkojnë që dëshmitë e personaliteteve ushtarake dhe politike të kohës, të dhëna në SHBA vullnetarisht me (afidavit), që është deklarim nën betim dhe ka vlerën e provës në sistemin e drejtësisë amerikane, të merren parasysh në procesin ‘Gërdeci’”, tha ai.

Ky veprim i Mediut vjen pasi GJKKO refuzoi thirrjen e tyre si dëshmitarë. Seanca e radhës për Mediun është vendosur më datë 24 qershor, ora 13:00.

Procesi ndaj Mediut ka 3 vite që zvarritet. Në shkurt 2023, ai u mor i pandehur për Gërdecin dhe u dërgua për gjykim, por ka vetëm zvarritje.

Mediu akuzohet se, në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin, njoftonte SPAK kur dërgoi dosjen për gjykim.

Prokuroria thotë se këto akte, në lidhje me shitjen dhe çmontimin e një sasie municioni, “kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC Inc. dhe Albademil sh.p.k.”.

Prokuroria e Posaçme sqaron se gjatë hetimeve të këtij procedimi penal janë kryer veprime të mëtejshme në lidhje me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” Ltd., me seli në Qipro, dhe “AEY”, me seli në Florida. /Pamfleti

Lini një Përgjigje