TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Qershor 2025, 17:45

PD-PS sherr për zgjedhjet në Strasburg, BE u fut ‘ankthin’: Jemi krah SPAK në luftën antikorrupsion, mos guxoni ta prekni!

Shkruar nga Pamfleti

PD-PS sherr për zgjedhjet në Strasburg, BE u fut

Mbahet takimi i 19-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit...

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë zhvendosur në Strasburg sherrin për zgjedhjet. Ashtu siç ka ndodhur gjithmonë, edhe sot në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit ka pasur akuza mes përfaqësuesve të të dyja kampeve, para personaliteteve të Brukselit.

Jorida Tabaku tha se Kuvendi nuk ka qenë në gjendje të bëjë një reformë të plotë elektorale dhe se nuk janë zbatuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Çështjet që janë ngritur në raportin e OSBE/ODIHR janë ndryshe nga çdo herë tjetër. Raporti flet për shkelje të kritereve të Kopenhagenit. Flet për përdorim të burimeve publike. Flet për ndikimin e administratës publike dhe përfshirjen e saj në procesin zgjedhor. Flet për përdorimin e fondeve publike për zgjedhje, por edhe për ndikimin e grupeve kriminale në disa qytete. Këto ishin zgjedhjet e para me negociatat e hapura, dhe unë besoj se kjo ishte një mundësi e humbur për Shqipërinë. Jo vetëm që kriteret e Kopenhagenit u shkelën, por edhe udhëzimet e Këshillit të Evropës, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, korniza për minoritetet kombëtare, udhëzimet e ODIHR për legjislacionin demokratik, si dhe disa konventa të tjera ku Shqipëria është palë”, tha Tabaku.

Ndërsa Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij, theksoi se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë ku prej 12 vjetësh nuk reflektohet asnjë nga gjetjet apo rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ai shtoi se në zgjedhjet e 11 majit ka regres dhe cenim të parimit themelor të zgjedhjeve; lirisë dhe barazisë në zgjedhje.

Në 11 maj, Shqipëria mbajti zgjedhje të përgjithshme parlamentare, në një klimë ku prej 12 vjetësh nuk reflektohet asnjë nga gjetjet apo rekomandimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri. Kjo bën që nga një proces zgjedhor në një tjetër, Shqipëria të bëjë vetëm hapa pas. Unë nuk do të flas sot këtu si dëshmitar i atij procesi. Nuk do të flas me gjuhën e opozitës, por me gjetjet, gjuhën dhe konstatimet e raportit paraprak të OSBE-ODIHR. Nuk ka progres, nuk ka standarde, ka regres dhe cenim të parimit themelor të zgjedhjeve; lirisë dhe barazisë në zgjedhje”, tha Bardhi.

Ndaj tyre reagoi ministri i Shtetit, Taulant Balla, i cili tha se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ndalur te zgjedhjet, Balla tha se sipas opinionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, 11 maji ishte konkurrues dhe u menaxhua me profesionalizëm.

Ritheksojmë nevojën për të filluar në shtator dhe vijuar me reformën elektorale. Në reformën tjetër duhet të kemi dispozita në Kodin Elektoral për mënyrën se si zgjidhen anëtarët e Parlamentit Europian”, tha Balla.

Por edhe pse PS e PD e kanë pasur hallin te zgjedhjet, ua ka ngrirë buzëqeshjen Sigrid Brettel, përfaqësuesja e Komisionit Europian në mbledhjen e Komisionit të Stabilizim-Asociimit në Strasburg. Ajo ka bërë të qartë se për ta, elementi më i rëndësishëm është reforma në drejtësi dhe veçanërisht lufta kundër korrupsionit. Ajo ka vlerësuar SPAK dhe ua ka bërë të qartë politikës se nuk duhet të cenojë pavarësinë e tij.

Kemi 4 grup-kapituj të hapur dhe jemi në prag të të pestit; jemi në një moment të paprecedent jo vetëm nga pala e Shqipërisë, por edhe nga BE. Ecuria për sundimin e ligjit ka qenë kyçe për ta bërë këtë gjë e në veçanti, është vijimësia e reformës në drejtësi, si dhe rezultatet e mira të SPAK. Shqipëria nuk duhet të lërë mënjanë nevojën që ka për të vijuar reformat në sundimin e ligjit, për të përmbushur të gjitha ato standarde krahasuese dhe tranzitore, dhe këtu puna e Kuvendit është kyçe. Në shtator dhe tetor, me legjislaturën e re, presim të ketë një sërë paketash legjislative, duke përfshirë këtu për punën antikorrupsion, konfliktin e interesit, median, drejtësinë, paketën ligjore për anëtarët jo-magjistratë të KLGJ-së dhe KLP-së. Ju e dini se çfarë pritet prej jush. Presim që këto gjëra të trajtohen me legjislaturën e re. Reforma në drejtësi të jetë një proces i pakthyeshëm, arritjet të ruhen, por të konsolidohen, të ruhet pavarësia e SPAK. SPAK është institucioni më i besuar në vend, dhe dua të theksoj rolin kyç që ka luajtur ky institucion për negociatat”, tha ajo.

Sipas saj, një tjetër çështje me rëndësi është lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës. Fokusi këtu duhet të jetë në fuqizimin e zinxhirit të sundimit të ligjit dhe zbatimit, duke nisur nga BKH-ja, specializimet e ndryshme, por edhe integriteti dhe kapacitetet e policisë. Më pas u ndal te liria e medias dhe zgjedhjet, ku problem për BE është përdorimi i administratës shtetërore nga partia në pushtet. /Pamfleti

Lini një Përgjigje