Në takimin e dytë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, u diskutua për ecurinë dhe sfidat e vendit në dy sektorë kyç: turizmin dhe bujqësinë.
Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, theksoi përparimin që, sipas saj, Shqipëria ka bërë në sektorin e turizmit bregdetar, ndërsa deputeti i opozitës Saimir Korreshi kritikoi ashpër qeverinë për braktisjen e bujqësisë.
Kushi vuri në dukje se turizmi bregdetar është një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe se është ndërmarrë një transformim i mënyrës së menaxhimit të sezonit turistik. Ajo deklaroi se synimi është që Shqipëria të bëhet vend drejtues në rajon për turizmin, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
"Reformat që kemi ndërmarrë nuk janë vetëm teknike, por tregojnë angazhimin tonë për t’i dhënë Shqipërisë një drejtim modern dhe të qëndrueshëm. Certifikimi dixhital i operatorëve të turizmit detar përmes e-Albania është një hap i rëndësishëm – 192 operatorë janë certifikuar deri në maj 2025", u shpreh Kushi. Ajo shtoi se qeveria ka kufizuar privatizimin në zona bregdetare dhe ka fuqizuar bashkitë për të investuar në infrastrukturë, duke ndjekur një model të ekuilibruar mes zhvillimit privat dhe mbrojtjes së interesit publik.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat Saimir Korreshi kritikoi ashpër qeverinë për neglizhencën ndaj sektorit të bujqësisë, të cilin e cilësoi si "vagonin e harruar" të trenit drejt integrimit evropian. Ai akuzoi qeverinë për skema preferenciale në shpërndarjen e subvencioneve, ku përfitues kanë qenë oligarkë që janë kthyer në pronarë serash, ndërsa fermerët e vegjël janë lënë pas dore.
"Edhe pse mbi 40% e forcës së punës në Shqipëri merret me bujqësi, nga qeveria nuk është bërë asgjë. Programet IPARD 2 dhe 3 janë bllokuar për shkak të korrupsionit. Plehrat kimike hyjnë në vend pa kontroll, ndërsa sistemi i vaditjes është ende në mesjetë", u shpreh Korreshi, duke shtuar se edhe në blektori situata është shqetësuese, pasi fshatarët sot blejnë qumësht në qytet – një fenomen i kundërt me realitetin e dikurshëm.
Takimi tregoi përplasjen mes qasjes optimiste të mazhorancës për transformimet në turizëm dhe kritikave të opozitës për dështimet në sektorin jetik të bujqësisë, duke reflektuar sfidat e shumta që Shqipëria duhet të adresojë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Lini një Përgjigje