TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Shkurt 2024, 19:00

SHBA ‘blindon’ vendin, Blinken: Pista e Kuçovës gati, po diskutojmë për një bazë detare dhe vendosjen e aseteve të NATO në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti
SHBA ‘blindon’ vendin, Blinken: Pista e Kuçovës gati, po
Baza e Kuçovës/ Rama-Blinken

Për bazën detare është diçka që e kemi diskutuar dhe do të vijojmë të diskutojmë mbi bazë të procesit që NATO ka sa i takon vendosjes së aseteve të tjera të rëndësishme me vlera për aleancën...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se do të "blindojnë" ushtarakisht Shqipërinë. Teksa lufta në Ukrainë vijon dhe situata në Lindjen e Mesme është tensionuar ndjeshëm, Shqipëria do të kthehet në një vend kyç sa i takon operacioneve të NATO-s.

Sekretari Antony Blinken ishte sot në Tiranë dhe në konferencën për shtyp me kryeministrin Rama dha sinjale se SHBA do të forcojë ushtarakisht Shqipërinë. Ai tha se në javët në vijim baza e Kuçovës do të jetë gati, teksa bëri me dije se me Ramën ka diskutuar dhe mbi mundësinë e ngritjes së një baze detare, por dhe të vendosjes së aseteve të tjera ushtarake të NATO-s në vendin tonë.

“Kanë kaluar 15-vite që kur Shqipëria është bërë aleate e NATO-s. Dhe fakti që do të përurohet baza e Kuçovës pak javë më vonë është një mënyrë e mrekullueshme për të theksuar angazhimin që Shqipëria ka bërë ndaj NATO-s dhe që NATO ka ndaj Shqipërisë. Ky është shembull i partneritetit të mbrojtjes mes dy vendeve. Për bazën detare është diçka që e kemi diskutuar dhe do të vijojmë të diskutojmë mbi bazë të procesit që NATO ka sa i takon vendosjes së aseteve të tjera të rëndësishme dhe me vlera për aleancën”, tha Blinken.

Mos vallë Sekretari i Shtetit e tregoi arsyen kryesore të vizitës në vendin tonë? Blinken shprehet se është folur dhe mbi mundësinë e vendosjes së aseteve të tjera të NATO-s. Nuk dihet për çfarë bëhet fjalë, por është folur se vendi ynë mund të përdoret si një lloj baze për operacionet e NATO-s dhe SHBA në Ukrainë apo Izrael.

Mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë zhvillimesh do të ketë, por interesant është dhe fakti se baza e Kuçovës do të inaugurohet në një moment kur zien Lindja e Mesme me Ukrainën. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje