
Kryeministri Rama i bëri thirrje qeverisë Kurti, që të reflektojë para se të jetë shumë vonë dhe të konsultohet me SHBA-në, për çdo vendim në të ardhmen.
Gjatë konferencës për shtyp me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kryeministri Edi Rama deklaroi se kanë folur për situatën e krijuar në Kosovë dhe lëshoi disa kritika për qeverinë Kurti, lidhur me mënyrën se si ajo po u qaset problemeve me Serbinë.
Ai shtoi se SHBA është mbështetësi më i madh i Kosovës dhe theksoi se shqiptarët e Kosovës të mos e harrojnë se pa ta nuk do kishte një shtet të pavarur.
"Patjetër që kemi folur për rajonin. Kemi ndarë të njëjtat pikëpamje dhe shqetësime. Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë për të gjitha vendet e rajonit. Do investohemi që rajoni të shkojë para sepse është në interesin tonë në radhë të parë. SHBA kanë qenë dhe do jenë mbështetës të njohjes së Kosovës, dhe është mirë që shqiptarët kudo nga janë të mos e harrojnë se pa ta nuk do kishte një shtet të pavarur të Kosovës. Interesi i SHBA në këtë rajon, specifikisht për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri e Kosovë, nuk është interes i dorës së dytë apo i ndarë nga interesi ynë, por është interes për të ndërtuar një të ardhme në paqe dhe prosperitet për gjeneratat e tjera", tha Rama.
Rama kritikoi Kosovën për vendimet e marra pa u konsultuar me aleatët ndërkombëtarë, si BE-ja dhe SHBA-ja. Sipas tij këto vendime të nxituara do të kenë pasoja të mëdha për shqiptarët e Kosovës dhe për raportet me aleatin strategjik, SHBA-në.
Kryeministri Rama i bëri thirrje qeverisë Kurti, që të reflektojë para se të jetë shumë vonë dhe të konsultohet me SHBA-në, për çdo vendim në të ardhmen. Ndër të tjera, ai i kërkoi Kurtit që të ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë dhe të nisin dialogun e lënë përgjysmë. Rama thumboi Kurtin gjithashtu që të mos përdorë politkën e jashtme për vota.
“Është në interesin tonë dhe të Kosovës që të përparojë në realizimin e të gjithë kërkesave të dialogut që nuk janë shtrënguese, që Kosova të lëshojë asnjë milimetër nga dinjiteti dhe sovraniteti i saj. Këto kërkesa bëjnë të mundur krijimin e një konteksti që e ngre lart Republikën e Kosovës si një Republikë që kërkon mbështetjen dhe vlerësimin e të gjithë aleatëve. Edhe sot, pasi kemi diskutuar dua ta përsëris apelin tim për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pakonsultuar me aleatët tonë strategjikë sepse është në interesin e tyre dhe të aleancës sonë. Nga veprimet e pakonsultuara, mbase mund të fitohen ca vota sot për sot duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja”, tha ndër të tjera Rama.
Lini një Përgjigje