BE i ka bërë thirrje qeverisë që të ndihmojë OLAF në çdo hetim dhe të mos krijojë pengesa...
Komisioni Europian i ka dhënë goditje qeverisë sa i takon aferave me fondet që vijnë nga Brukseli. Pak muaj më parë u ndërprenë fondet e IPARD, teksa SPAK ka vënë nën hetim kupolën e AZHBR dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Ishte Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) që zbuloi shumë shkelje, por deri më sot qeveria vetë nuk ka ndërmarrë asnjë masë. Madje pak javë më parë, vetë OLAF shprehej se ka vënë në dijeni qeverinë dhe ka kërkuar që ajo të ndjekë hetimet, pasi nuk po ndodh një gjë e tillë.
Marrë shkas nga kjo, BE i ka bërë thirrje qeverisë që të ndihmojë OLAF në çdo hetim dhe të mos krijojë pengesa. Sot u publikua progres-raporti për vendin tonë dhe një hapësirë i është kushtuar mashtrimit me fondet e BE.
“Shqipëria duhet të përmirësojë bashkëpunimin e saj me Komisionin Evropian për hetimet. Në vitin 2022, raportoi 71 raste të parregullsive dhe mashtrimeve të dyshuara në programet IPA dhe IPARD. Megjithëse bashkëpunimi për hetimet është përmirësuar, Shqipëria ka nevojë për të rritur përpjekjet e saj në zhvillimin e një historie solide në bashkëpunimin në hetime, duke ofruar, ndër të tjera, ndihmë efektive operacionale për hetuesit nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), në mënyrë që ata të mund të kryejnë plotësisht detyrën e tyre në kryerjen e një -kontroll në vend në përputhje me Rregulloren (BE, Euratom) Nr 883/2013 dhe Rregulloren (KE, Euratom) Nr 2185/1996. Shqipëria duhet gjithashtu të vazhdojë përpjekjet e saj në zhvillimin e një historiku mbi raportimin e parregullsive”, thekson KE.
Më tej kërkohet që qeveria të marrë masa dhe të mbikëqyrë ecurinë e programeve IPARD. Sipas KE, duhet që të ruhen interesat financiare të Brukselit.
“Për zhvillimin rural, zbatimi i programit IPARD II vazhdoi, por nevojitet ngritja e kapaciteteve dhe mbikëqyrja për të siguruar përfundimin e programit IPARD II dhe zbatimin efikas të IPARD III në përputhje të plotë me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar.
Shërbimi kombëtar i koordinimit kundër mashtrimit ka krijuar një rrjet që përfshin autoritetet e tjera përkatëse, i cili takohet rregullisht. Megjithatë, rolet e autoriteteve pjesë e rrjetit AFCOS duhet të qartësohen më tej në lidhje me mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. Një strategji kombëtare kundër mashtrimit duhet ende të miratohet”, thekson raporti.
Pak javë më parë u bë e ditur se autoritetet shqiptare kanë nisur të zvarrisin hetimet për abuzimet me fondet IPARD.
Në fund të gushtit, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, e ka dorëzuar raportin te autoriteti përgjegjës në Ministrinë e Bujqësisë duke kërkuar që të vijojnë më tej hetimet me qëllim që të dalin para përgjegjësisë autorët që kanë vjedhur milionat e alokuara nga BE. Por duket se qeveri ka zvarritur procedurat. /Pamfleti
Lini një Përgjigje