Malltezi do të vijojë të mbetet në qeli, ndërsa Berisha nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”...
Sali Berisha dhe dhëndri i tij do të vijojnë të qëndrojnë nën masa sigurie sa i takon aferës “Partizani”. GJKKO ka rrëzuar kërkesat e avokatëve të tyre, të cilët kërkuan që Malltezi të lirohet nga burgu dhe Berishës t’i hiqet masa e “detyrimit të paraqitjes”, me pretendimin se vendimi u zbardh me vonesë dhe masat duhet të shuhen.
Avokatët, si të Berishës ashtu dhe Malltezit kërkuan në fillim të seancave përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja. Mirëpo të dyja kërkesat janë rrëzuar. GJKKO i ka cilësuar të pabazuara kërkesat dhe gjykimi vijoi nga Gjoka. Kjo e fundit pasi dëgjoi palët, vendosi të mos i shuajë masat e sigurisë.
“Ne kërkuam përjashtimin e gjyqtares, e dyta kërkesë. Një reagim krejt i ftohtë dhe një vendimmarrje si të gjitha të tjerat. Sigurisht kjo seancë ia vlejti për të dokumentuar shkeljen e radhës së gjykatës. Vendimi i zbardhur na u dha sot. Imagjinoni që vendimet janë të pa ekzekutuara, vendimet janë të pa depozituara në sekretarinë e gjykatës. Ndërkohë që Gjykata dhe Prokuroria flisnin sikur ato vendime janë komunikuar. Ne e konsiderojmë të pa ekzekutuar atë vendim, pavarësisht se këta i qëndrojnë shkeljes. Një gjykatë dhe një prokurori që shkel Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale e ka në dorë të dytë. Të dyja kërkesat janë rrëzuar”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.
“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.
Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi;
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi;
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti
Lini një Përgjigje