
3 ditë pasi prokurorët u kthyen nga SHBA, kanë thirrur Ilir Metën të japë sqarime për aferën CEZ-DIA. Koicidencë apo Uashingtoni ka dhënë porosi që të mos tolerohet asnjë?
Ilir Meta ka ngjitur për herë të dytë shkallët e SPAK. 3 ditë pas kthimit nga SHBA, prokurorët thirrën Ilir Metën të japë sqarime për dosjen e famshme CEZ-DIA, dosje e cila sipas burimeve është drejt mbylljes.
Mësohet se pas pyetjes së Metës, SPAK pritet të procedojë me dërgimin e dosjes për gjykim dhe marrjen e ish-presidentit të pandehur, teksa duhet të presim nëse do të ketë apo jo masë sigurie ndaj tij.
Por fakti që ai u thirr pas kthimit nga SHBA, ngre dyshime se SPAK ka marrë porosi nga amerikanët që të mos tolerojnë asnjë dhe duket se ky është mesazhi që shkon për të gjithë.
Ish-presidenti dyshohet se ka favorizuar CEZ me uljen e çmimit të energjisë në këmbim të marrëveshjes me DIA për mbledhjen e borxheve.
Hetimet kanë nisur në kuadër të një padie që ka bërë në SPAK, juristi Romeo Kara. Ky i fundit ka dhënë aty detaje se si janë grabitur miliona, ndërkohë që mësohet se SPAK ka bindur dhe disa ish-bashkëpunëtorë të Metës të flasin. Një ndër ata dyshohet se është Elvis Mata, një ish drejtor në DIA dhe ish drejtues i LRI-së në vitin 2005. Ndërkohë SPAK tentoi të bindë të flasë dhe vetë kreun e DIA, Kastriot Ismailaj. Ai është marrë disa herë në pyetje.
Mata dyshohet se ka folur me detaje për bëmat e Metës dhe madje ish-presidenti u pyet për të, por nuk foli. Po ashtu dje ishte në SPAK Ilir Kulla, ish-këshilltar i Metës, që dyshohet se po ashtu është pyetur për akuzat në ngarkim të ish-presidentit.
Sa i takon Ismailajt, ai pak kohë më parë u lirua nga burgu, ku kreu dënimin po për këtë aferë. Vetë Ismailaj nuk ka folur në publik, por gruaja e tij ka akuzuar drejtpërdrejt Metën si përfituesin kryesor të kësaj afere. Sipas burimeve, SPAK ka marrë në pyetje dhe persona të tjerë dhe po ashtu edhe ata kanë folur kundër ish-presidentit.
Provat që fundosin Metën
Juristi Kara në padinë që ka bërë në Prokurori, ka dorëzuar 300 faqe me informacion, ndërsa ka bërë një renditje të argumenteve të tij se përse kemi vepër penale. Janë rreth 30 argumente, ku implikojnë Metën, Berishën dhe qeverinë e asaj kohe, sipas juristit. Fillimisht Kara ka renditur dëshmitë që ka dhënë ish-kreu i CEZ, Jozef Hejsek. Sipas tij, ky i fundit ka thënë: “Qazim Tepshi, në atë kohë Ambasadori i Shqipërisë në Pragë, pas diskutimeve me eprorin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta, rekomandoi Kastriot Ismailajn, si mbledhës të jashtëm të borxheve të CEZ-it, duke e prezantuar atë si një aleat të ngushtë të ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta dhe të kryeministrit Berisha. Kjo, sipas Hejsekut, mund të ketë ndodhur në vjeshtën e vitit 2009. Vjeshta e vitit 2009 rezulton të jetë pikërisht koha kur pala çeke filloi administrimin e OSSH-së, të sapo privatizuar në atë kohe prej tyre”.
Kara ka treguar dhe bisedat me ish-zyrtarin e DIA, Elvis Mata. Sipas tij, ai i ka rrëfyer lidhjet e Metës me Kastriot Ismailin. “Sipas asaj që ka pohuar disa herë, në ambiente të ndryshme vetë Ismailaj, apo ish-drejtori ekzekutiv i DIA-s Elvis Mataj, dyshja Meta-Ismailaj janë takuar në Pragë me dyshen Martin Roman & Tomas Pleskash, të cilët kanë qenë përkatësisht numrat 1 dhe 2 drejtues të CEZ-group. Ismailaj me mburrje në më shumë se një rast, ka pohuar se: ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Pragë, Qazim Tepshi, u aks1dentua qëllimisht nga pala çeke, që ai të mos ishte i pranishëm në takimin e sipërpërmendur”, thuhet në dosje.
Kara përmend dhe paratë që kanë qarkulluar në këtë mes. Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo e fundit ja u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona. Sipas Karajt, nga ky favor u kërkuan 10 milionë euro. Ai ka përmendur dhe një valixhe me para. “Elvis Mataj më ka pohuar në mënyrë të përsëritur, mua personalisht se: Kastriot Ismailaj i ka çuar në shtëpi Ilir Metës, në një çantë ngjyrë kafe, që i përkiste Elvis Matës, rreth 200 milionë lekë të vjetra. Kjo gjë ka ndodhur, sipas Elvisit në fund të vitit 2010 ose në fillim të vitit 2011. Më shumë ka mundësi në fillim të vitit 2011”, thuhet aty.
Disa nga argumentet në padi
-Në pikën 8 të dëshmisë së tij, Jozef Hejsek, pohon se: Qazim Tepshi, në atë kohë Ambasadori i Shqipërisë në Pragë, pas diskutimeve me eprorin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta, rekomandoi Kastriot Ismailajn, si mbledhës të jashtëm të borxheve të CEZ-it, duke e prezantuar atë si një aleat të ngushtë të ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta dhe të kryeministrit Berisha.
-Në pikën 9 të dëshmisë se tij, Jozef Hejsek pohon se: z.Tepshi më prezantoi me Ismailajn në Tiranë, duke më thënë se ai kishte lidhje të mira me Ilir Metën dhe se gëzonte besimin e tij.
-Në pikën 13 të dëshmisë së tij Hejse ku vazhdon: Prezantimi i materialit “Pasut & Partners” u mbajt nga Ismailaj si një prezantim powerpoint, me slide të projektuara në mur, në Tiranë dhe në Pragë, në qershor-korrik 2010. Ky nxitim për të paguar DIA-n për një punë të pakryer asnjëherë korrespondon me vizitën e përbashkët Ismailaj-Meta në Pragë, më 29 Nëntor 2910;
– Në fund të vitit 2010, sipas raportit të komisionit hetimor Balla, të Parlamentit Shqiptar, dyshohet se Ismailaj dhe Shkëlzen Berisha kanë udhëtuar sëbashku për në Pragë. Sipas asaj që ka pohuar disa herë, në ambiente të ndryshme vetë Ismailaj, apo ish-drejtori ekzekutiv i DIA-s Elvis Mataj, dyshja Meta-Ismailaj janë takuar në Pragë me dyshen Martin Roman & Tomas Pleskash, të cilët kanë qenë përkatësisht numrat 1 dhe 2 drejtues të CEZ-group. /Pamfleti
Lini një Përgjigje