
Por mesa duket kreu demokrat ka vijuar me tezën e bashkimit në diversitet, e cila u përdor për të afruar ata që dikur ishin shfaqur si kundërshtarët më të ashpër dhe më të fortë të Berishës, në përballjen me Lulzim Bashën...
Sali Berisha ka rikonfirmuar Gazment Bardhin dhe Agron Gjekmarkajn në postet e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.
Bardhi do të vazhdojë të mbajë postin e Kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, ndërsa Gjekmarkaj si nënkryetar i Kuvendit.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, e para që nga zgjedhjet e 11 majit, Berisha duket se i ka besuar Bardhit drejtimin e grupit, edhe pse kas pasur dyshime apo zëra në rradhët e PD-së për një ndryshim.
Por mesa duket kreu demokrat ka vijuar me tezën e bashkimit në diversitet, e cila u përdor për të afruar ata që dikur ishin shfaqur si kundërshtarët më të ashpër dhe më të fortë të Berishës, në përballjen me Lulzim Bashën.
I vetmi që ka votuar kundër propozimeve të Berishës ishte deputeti i Qarkut të Vlorës, Bujar Leskaj. Ky i fundit nuk ka mbështetur propozimin që Gazment Bardhi të vijonte të drejtonte grupin parlamentar, ndërsa më herët ka kërkuar një rifreskim të strukturave drejtuese.
“Kam bindjen se ky grup me mbështetjen që do i bëjë Bardhit, do të njohë një performancë të re gjatë kohërave që vijnë. Për nënkryetar të grupit, Belind Këlliçin dhe Tomor Alizotin. Nënkryetar Kuvendi, Agron Gjekmarkaj”, tha Berisha, duke mos lënë dyshime se propozimi i tij mund të mos miratohej.
Nga emrat e propozuar për drejtimin e Grupit Parlamentar, të gjithë rezultojnë humbës në 11 maj, pasi kanë qenë drejtues politik në Qarqet Fier, Elbasan e Tiranë.
Në Kryesinë e Grupit do të bëjnë pjesë edhe Ledina Alolli dhe Elda Hoti. E para do të jetë Zëdhënëse e Grupit Parlamentar, ndërsa tjetra Sekretare e Grupit Parlamentar.
Ndërkohë ndarjen e deputetëve në Komisionet Parlamentare, por edhe drejtimin e atyre komisioneve që i takojnë, do të vendoset në një tjetër mbledhje, e cila mund të zhvillohet nesër, pas konstituimit të Kuvendit.
Duket se Berisha ka zgjedhur të mos hapë debatet në PD për ndarje postesh, duke ruajtur status quo-n, edhe pse për javë me rradhë pas humbjes së 11 majit, u fol për ndryshime, ristrukturime, reformime. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje