
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, deputeti demokrat Bujar Leskaj ka propozuar që Gazment Bardhi të bëhet nënkryetar i partisë, pa votim.
Ai propozoi po ashtu që disa prej deputetëve të grupimit të tij t’i bashkohen Kryesisë së Rithemelimit sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Osman Stafa.
“Kryefjala jonë është protesta e 20 shkurtit. Si një ditë mjaft e rëndësishme ku ne duhet të reagojmë fort përballë këtij pushteti të korruptuar.
Kjo ditë e sotme të bën optimist dhe është shkalla e parë për të projektuar fitoren e vitit 2025. Deputetët e bashkuar tashmë edhe në një parti, do të jenë motorri i PD-së drejt zgjedhjeve dhe fitores.
Pas datës 22 shkurt, duhet të ulemi seriozisht dhe të analizojmë aksionin opozitar. A duhet të vazhdojmë më kështu? Çfarë kemi fituar dhe çfarë kemi humbur? Na duhet një program i qartë i partisë, t’ua prezantojmë qytetarëve. Nuk mund të shkojmë tek njerëzit vetëm për të denocuar korrupsionin e Ramës, por na duhet edhe t’u themi se çfarë do të bëjmë ne ndryshe. Pra na duhet një program.
Sa i përket organizimit, deputetët me të cilët jemi bashkuar t’u krijohen kushtet që në mbledhjen më të afërt të Këshillit Kombëtar të votohen. Ndërsa Gazment Bardhi, të marrë postin e nënkryetarit të partisë, automatikisht, pa votim. Kjo në bazë edhe të statutit, pa hequr asnjë nga nënkryetarët aktualë”, u shpreh Leskaj.
Lini një Përgjigje