
Gazetari Erl Murati ka folur lidhur me miratimin e ndryshimeve statutore, duke i hapur rrugë kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi dhe nënkryetarit të Parlamentit, Agron Gjekmarkaj të emërohen automatikisht si nënkryetarë partie.
Ai shprehet se po shkelet statuti duke mos zhvilluar votim. Pavarësisht këtij bashkimi, Murati theksoi se opozita mbetet larg arritjes së qëllimit final, një bashkimi të të gjithë frontit opozitar.
Murati shtoi gjithashtu se ish-kryeministri Berisha në gjendjen aktuale ku ndodhet rrezikon të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të humbasë mandatin e tij të deputetit, ndaj edhe opozita duhet të përgatitet për këtë skenar.
“Ka një akuzë nga disa anëtarë të PD që po shkelet statuti me emërimin e dy nënkryetarëve. Këtu kemi të bëjmë me një formacion politik që nuk ka nevojë për nënkryetarë, pasi Berisha është vetë kryetar dhe nënkryetar. Nuk luajnë një rol thelbësor pasi Berisha luan rolin kryesor. Nga pikëpamja administrative ka zëra që kritikojnë emërimet e Bardhit dhe Gjekmarkajt, pasi sipas statutit nënkryetarët duhet të zgjidhen dhe jo të emërohen. Megjithatë opozita është në një moment të vështirë dhe interesi politik për bashkim prevalon.
Në situatën aktuale bashkimi me Bashën më duket tejet i vështirë. Shpëtim Idrizi është larguar në disa qëndrime nga Berisha, Meta nuk mori pjesë në protestën e 20 shkurtit. Megjithatë shoh se opozita është larg qëllimit final të bashkimit final. Berisha rrezikon të djegë mandatin dhe të mos marrë pjesë si kandidat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është një skenar real, pavarësisht asaj që duan të besojnë mbështetësit e tij. Në këto rrethana ky është një skenar real dhe opozita duhet të përgatitet që Berisha mund të mos marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Megjithatë nëse Berisha do të largohet nga drejtimi i opozitës, kjo e fundit do të pësojë një traumë tjetër”, tha ai për “News 24”.
Lini një Përgjigje