
Ish-shefi i Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë, Xhemal Gjunkshi, thotë se Shqipëria duhet të forcojë kapacitetet e veta ushtarake dhe shërbimi ushatark duhet të jetë i detyrueshëm.
Gjunkshi tha se shumë vende të NATO-s e aplikojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe shtoi se njerëzit duhet të trajnohen dhe edukohen në përdorimin e pajisjeve mbrojtëse.
Ai tha se drejtuesit ushtarakë dhe politika duhet të shqyrtojnë mundësinë e rivendosjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
“Jo vetëm vende që janë në kufij me Rusinë, por edhe ne si vend sovran dhe si vend anëtar i NATO-s duhet të mendojmë për rritjen e kapaciteteve tona. Në këtë kuadër jo vetëm në fushën e investimit dhe të modernizimit me teknologji, por edhe në fushën e edukimit.
Sepse teknologjia paraprihet me edukim. Sepse njerëzit duhet të trajnohen, të edukohen, të mësojnë përdorimin e pajisjeve mbrojtëse.
Ndoshta të kthehemi edhe te shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Sot jemi 100 % ku shërbimi nuk është i detyrueshëm, por edhe kjo çështje duhet të shikohet e të rimendohet. I takon drejtuesve ushtarakë, por kryesisht politikës që të marrin një vendim për këtë. Ka shumë vende të NATO-s që shërbimin e detyrueshëm ushtarak e kanë me ligj”, tha Gjunkshi në Euronews Albania.
Lini një Përgjigje