TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Korrik 2023, 19:10

'Ballkani i Hapur' shpalli falimentin, Berisha: Nisma e Vuçiçit dhe Ramës për të ndarë Kosovën pati fundin e merituar

Shkruar nga Pamfleti

'Ballkani i Hapur' shpalli falimentin, Berisha: Nisma e

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar për projektin “Ballkani i Hapur”, ndërsa tha se nisma e Vuçiçit dhe Ramës për të ndarë Kosovën pati fundin e merituar.

Në një postim në rrjete sociale, Berisha u shpreh se kjo nismë antieuropiane është kundërshtuar që në fillim nga Kosova dhe më pas nga Bosnja Hercegovina dhe Mali i Zi, duke bërë që projekti të mbetet gjysmak dhe përçarës dhe të mos realizojë qëllimet e tij.

Ish kryeministri tha gjithashtu se Ballkani i Hapur është kundërshtuar fuqishëm edhe nga opozita shqiptare në tërësi dhe PD në veçanti e cila organizoi protesta të fuqishme kundër Samitit në Durrës të Aleancës trilaterale, de facto Vuçiç - Rama - Zaev si projekti më përçarës në rajon më antishqiptar dhe antieuropian.

Më tej, Berisha deklaroi se pas kundërshtimit të BE, Ballkani i Hapur përfundoi në arkivat e historisë, ndërsa Vuçiç - Rama - Zaev që u përpoqën të zëvendësojnë të ardhmen europiane të rajonit me të shkuarën jugosllave të tij, sipas ish kryeministrit mbeten si Don Kishoti me Sançon dhe Rosinanti, por jo në Mancha dhe në shkullin e Rilindjes të Spanjës, por në Ballkan dhe në shekullin e 21-të.

“Open Ballkan pati fundin e merituar. Miq, pas dështimit të projektit të Serbomadhisë të ndarjes së Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë, serbomadhi Aleksandër Vuçiç i mbështetur nga Sergey Lavrov, shpalosi projektin e vendosjes së hegjemonisë serbe në rajon.

Ai inaguroi këtë projekt në Novi Sad me firmosjen e traktatit të Novi Sadit me dy vasalët e tij, Edi Rama dhe Zoran Zaev dhe me kumbar Alexis Soros. Për të maskuar qëllimet, projektin e pagëzuan “Mini shengeni Ballkanit”, por pas reagimit të fuqishëm të BE ndaj tij e pagëzuan me emrin e ri “Ballkani i Hapur” duke marrë këtë term hua nga një artikull me këtë titull, i shkruar në vitin 1991 nga George Soros. Fill pas firmosjes së traktatit në Novi Sad, ideatori i tij Aleksandër Vuçiç deklaroi haptas se qëllimin më kryesor të këtij projekti të serbomadhisë ishte: themelimi i Jugosllavisë së Re plus Shqipërinë.

Trojka famëkeqe paraqiti në Novi Sad dhe hartën e Mini shengenit Ballkanik (më vonë Ballkani i Hapur) hartë në të cilën Kosova zhdukej si shtet i pavarur dhe paraqitej si pjesë integrale e Serbisë së Madhe. Kjo hartë do të postohej në faqen zyrtare të facebook të Edi Ramës. Sipas kësaj harte tani nuk bëhej më fjalë për ndarjen e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë, por gllabërimin e saj nga Serbia me bekimin e Shqipërisë, njëlloj si në vitin 1945.

Qëllim tjetër madhor i Ballkanit të Hapur ishte të kundërshtonte Procesin e Berlinit të BE. Ky i fundit krejt ndryshe nga Ballkani i Hapur, që stabilitetin e Ballkanit e bazonte në parimin e vjetër të hegjemonizmit serb në rajon, konsideron të domosdoshëm për stabilitetin e rajonit bashkëpunim rajonal të shteteve sovrane dhe të barabarta të tij. Ballkani i Hapur u mbështet që në fillim fort nga Lavrov, i cili me urrejtje e quante nismën e Berlinit si Ballkani i mbyllur i Brukselit dhe nxiste fuqishëm trojkën Vuçiç-Rama- Zaev të zëvendësonin Procesin e Berlinit të BE me projektin e hegjemonisë serbe dhe nëpërmjet saj, asaj ruse në rajon. Por projekti i vendosjes së hegjemonisë serbe u mbështet fuqishëm edhe nga Alexander Soros, i cili në çdo takim të aleances trilaterale destabilizues paraqitej si padrino i takimit dhe lobonte fuqishëm në vendin e tij, por edhe në vende të tjera për mbështetjen e Ballkanit të Hapur në kundërshtim me interesat perëndimore në rajon.

E vërteta është se ky projekt antieuropian u kundërshtua që në fillim në mënyrë të prerë nga Kosova dhe më pas nga Bosnja Hercegovina dhe Mali i Zi, duke bërë që projekti të mbetet gjysmak dhe përçarës dhe të mos realizojë qëllimet e tij. Ballkani i Hapur u kundërshtua fuqishëm nga opozita shqiptare në tërësi dhe PD në veçanti e cila organizoi protesta të fuqishme kundër Samitit në Durrës të Aleancës trilaterale, de facto Vuçiç - Rama - Zaev si projekti më përçarës në rajon më antishqiptar dhe antieuropian dhe që kishte si qëllim zëvendësimin e integrimit në Bashkimin Europian me integrimin në Jugosllavinë e Re dhe ombrellën ruse në Ballkan.

Por në emër të këtij projekti Edi Rama, kryeministër i një vendi antar të NATO-s, mbronte me fanatizëm refuzimin e Bogradit për zbatimin e sanksioneve të BE dhe NATO ndaj Rusisë dhe kthimin e Serbisë në prapavijë të Rusisë agresore e Ukrainës, domethënë shndërrimin e saj në Rusinë e Vogël në Ballkan.

Por projekti i Ballkanit të Hapur u kundërshtua në mënyrë të prerë nga Brukseli Boni si një projekt antieuropian.

Pas kundërshtimit të prerë nga BE, Ballkani i Hapur përfundoi së fundmi në arkivat e historisë kurse Vuçiç - Rama - Zaev që u perpoqën të zëvendësojnë të ardhmen europiane të rajonit me të shkuarën jugosllave të tij, mbeten si Don Kishoti me Sançon dhe Rosinanti, por jo në Mancha dhe në shkullin e Rilindjes të Spanjës, por në Ballkan dhe në shekullin e 21-të.”, shkruan Berisha.

 

\'ballkani i hapur\' berisha rama vucic

Lini një Përgjigje