
Vëzhguesja e Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) Antuela Male tha se Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri dhe kreu i Grupit Parlamentar të kësaj partie kanë shkelur kodin zgjedhor.
E ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania ajo tha se ato kanë shfrytëzuar aktivitetet institucionale apo deputetët për të kryer fushatë.
“Kemi realizuar 200 denoncime lidhur me aktivitetet që i kemi monitoruar vetëm nga rrjetet sociale, këto lidhen me mekanizmin e raportimit dhe të përdorimit. Ajo që kemi vërejtur është shfrytëzimi i aktiviteteve institucionale të bashkive nga drejtuesit politikë të qarqeve apo deputetët për të kryer fushatë elektorale. Denoncime të tilla ne kemi çuar në KQZ për disa bashki të qarkut Elbasan, ku drejtues është Gjiknuri dhe për disa bashki të Fierit ku drejtues politik është Balla”, tha ajo.
Male shtoi më tej se ende pa filluar fushata zgjedhore partitë politike kanë shpenzuar 25 mijë dollarë për reklama në rrjetet sociale.
Ajo tha se partitë që kanë shpenzuar më shumë janë koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe “Nisma Thurje”.
“Që nga dekretimi i datës së zgjedhjeve, kemi filluar monitorimin e të gjitha reklamave politike në rrjetet sociale, Facebook dhe Instagram. Deri më tani rezulton se janë shpenzuar 25 mijë dollarë me qëllime politike, dhe janë kandidatët ata që janë duke shpenzuar. Ato që kanë shpenzuar më shumë janë koalicionin “Bashkë Fitojmë” dhe ‘Nisma Thurje’”, tha ajo.
Lini një Përgjigje