
Edhe pse çdo vit dalin disa kandidatë të inkriminuar, politika duket se nuk zë mend. Sërish partitë marrin në gjirin e tyre persona me rekorde kriminale...
Krimi duket se nuk ndahet dot nga politika shqiptare. Ndonëse ka 7 vite që është miratuar ligji i dekriminalizimit, sërish ka kandidatë me rekorde kriminale. Në prag të nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 14 majit, 3 emra po akuzohen si të përfshirë në krime dhe që preken nga ligji i dekriminalizimit. Ky ligj është përdorur historikisht nga partitë për të goditur njëra-tjetrën dhe nuk kishte si të mungonte këtë vit.
Opozita ka kërkuar nga KQZ që të përjashtojë nga kandidimi dy kandidatë të majtë. Bëhet fjalë për Kreshnik Hajdarin e Kuçovës dhe Qerim Ismailajn e Mallakastrës. Kreshnik Hajdari është dënuar në Greqi, por nuk e ka deklaruar një gjë të tillë në formularin e dekriminalizimit. Ligji është i qartë në këtë aspekt, pasi kush fsheh të dhënat i hiqet mandati ose i ndalohet kandidimi.
Sa i takon Qerim Ismailajt, edhe ky i fundit nuk ka deklaruar një dënim në Greqi. KQZ e shpëtoi nga heqja e mandatit me argumentin se ai nuk ka pasur dijeni për dënimin. Mirëpo SPAK e hetoi dhe ai u dënua me 6 muaj burgim (konvertuar në shërbim prove) për falsifikim dokumentesh. Për PD ai është i dënuar dhe nuk mund të kandidojë.
Nga ana e saj, PS ka shigjetuar kandidatin e opozitës në Shijak, Rezart Tushe. Sipas PS, ai është dëbuar nga Zvicra për posedim të lëndëve narkotike. Vetë Tushe ka deklaruar se është dëbuar për shkelje të lejeqendrimit, por PS pretendon se ai mashtron.
Ilirian Celibashi i regjistroi të gjithë kandidatët duke mbyllur sytë përballë akuzave të partive. Por duket se KQZ është vënë sërish në test. PD ka kërkuar në KAS që të çregjistrohet si kandidat Qerim Ismailaj, duke ankimuar vendimin e Celibashit. Nga ana tjetër, PS ka kërkuar nga komisioneri çregjistrimin e Resart Tushes në Shijak, ndërsa opozita kërkon çregjistrimin e Kreshnik Hajdarit në Kuçovë. Këtë javë pritet që KQZ të mblidhet dhe të vendosë për 3 emrat në fjalë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje