TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Shtator 2025, 13:52

Bajram Begaj uron presidenten e Moldavisë për fitoren në zgjedhje

Shkruar nga Pamfleti
Bajram Begaj uron presidenten e Moldavisë për fitoren në zgjedhje
Presidenti Bajram Begaj

Presidenti Bajram Begaj uroi këtë të hënë, 29 shtator, presidenten e Moldavisë, Maia Sandu, për fitoren në zgjedhjet parlamentare.

“Urime të sinqerta Presidentes së Moldavisë Maia Sandu për fitoren në zgjedhjet parlamentare. Kjo është dëshmi e besimit të qytetarëve në demokraci dhe në integrimin evropian si një përparësi strategjike. Shqipëria qëndron krah Moldavisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”, shkruan kreu i shtetit në një postim në X.

Partia pro-evropiane “Veprim dhe Solidaritet” (PAS), e drejtuar nga presidentja Maia Sandu, doli fituese në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën, me 50.03% të votave, duke ruajtur kursin e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të tensionuar politike, mes përpjekjeve të deklaruara të Rusisë për të ndikuar rezultatin dhe mbështetjes së hapur nga BE për forcat pro-perëndimore. 

Moldavia, një vend i vogël, por me rëndësi strategjike në kufi me Ukrainën, ndodhet në një moment kyç. Me një pjesë të madhe të popullsisë ende nostalgjike për periudhën sovjetike dhe një rini që kërkon ndryshim dhe integrim në Perëndim, vendi është i ndarë mes dy poleve: Lindjes dhe Perëndimit, Moskës dhe Brukselit.

 

 

Lini një Përgjigje