
Kuvendi është përfshirë nga debatet në seancën e sotme, ndërsa deputetët e PD-së kanë shfrytëzuar kohën për të hedhur akuza në drejtim të Kryeparlamentarit, Niko Peleshi.
Luçiano Boçi, deputet i PD-së, tha se Kuvendi është kthyer në një dyqan, ndërsa Niko Peleshi kërkon të pastrojë politikën e pistë të mazhorancës, duke i mbyllur gojën opozitës.
“Ktheni debatin në Kuvend, mos u merakosni që opozita po flet dy apo tre minuta”, tha Boçi.
Më herët ishin deputetët Klevis Balliu, Flamur Noka dhe Gent Strazimiri që gjithashtu ngritën kritika lidhur me çështjen e mënyrës se si po trajtohet Parlamenti.
“Ka një Kushtetutë, ka një rregullore ku përcaktohet se si duhet të funksionojë Parlamenti. Por drejtuesi i Parlamentit preferon që të udhëzohet nga deputetë të mazhorancës dhe nga Kryeministri se si duhet të menaxhojë një seancë parlamentare”, tha Noka.
Duke iu drejtuar Peleshit, Noka i tha “nuk je sufler që më ndërhyn sa herë që marr fjalën”.
Deputeti Klevis Balliu tha se Kuvendi s’mund të trajtohet si noterizues i akteve të Qeverisë.
Balliu u shpreh se ndërsa në Parlament diskutohet procesverbali, bota flet për takimin në Aruba, ndërsa shtoi se DASH ka thënë se qeveria ka gjetur kohën për të shkuar në Aruba, ndërsa kryeministri “nuk gjen kohën të përballet me Parlamentin”.
“Unë e kuptoj nxitimin këtu për t’i mbyllur gojën opozitës. Po të kishit edhe këtë nxitim të na jepnit rregulloren do e kishim pasur. Nuk ka vend tjetër ku parlamenti mblidhet vetëm për të noterizuar procesverbale. Ne diskutojmë procesverbalin, gjithë bota flet për Arubën, DASH thotë që ke një qeveri të tërë që gjen kohën për të shkuar në Aruba, por gjatoshi juaj nuk gjen kohën të përballet me Parlamentin”, u shpreh ai.
Deputeti i PD-së, Arjan Ndoj i bëri thirrje Kuvendit që të respektojë rregulloren dhe Kushtetutën, me pretendimin se ato po shkelen.
Ai theksoi se Kuvendi duhet t’i kthehet normalitetit, ndërsa renditi disa shkelje. Ndoj tha se nëse këto pretendime të opozitës shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese, atyre do u jepej të drejtë.
“Ju bëj thirrje në emër të etikës profesionale, ta shikojnë rregulloren. Ne vijmë në seancë dhe nuk dimë se çfarë kemi ndryshuar në rregullore. A mund të quhen të vlefshme këto miratime? Nëse kërkesat tona parashtrohen në Kushtetuese, janë të pranuara. Jam për të kthyer Kuvendin në rrugë institucionale, në rrugën e duhur.”, tha Ndoj.
Lini një Përgjigje