TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Shtator 2025, 13:01

Raporti i DASH për Shqipërinë, reagon Berisha: Jemi shndërruar në parajsën e pastrimit të parave

Shkruar nga Pamfleti
Raporti i DASH për Shqipërinë, reagon Berisha: Jemi
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi sot pas publikimit të raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA, duke theksuar se Shqipëria është shndërruar në “parajsën e larjes së parave” nga kartelet dhe klanet më të rrezikshme në Europë.

“Departamenti i Shtetit në raportin e fundit flet hapur për një paterni ekonomik që po zhvillohet dhe që në të vërtetë është paterni ekonomik i narkoshtetit dhe narkoekonomisë. Në Shqipëri nuk ka investime të huaja. Ka 10 vite që nuk numërohen as më gishta investitorët seriozë perëndimorë, sepse ata janë zëvendësuar nga narkotrafikantët dhe paratë e tyre”, tha Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, janë terroristët e karteleve të drogës ata që dominojnë tërësisht tregun shqiptar dhe që diktuan veprimet e qeverisë së Edi Ramës.

 “Ndaj me të drejtë në raport flitet për një korrupsion të madh qeveritar, korrupsion të madh në gjyqësor. Flitet për paratë e drogës, për mungesën e investimeve të huaja, që të gjitha këto janë tipike për një narkoshtet”, theksoi ai.

Berisha rikujtoi se kompani të mëdha ndërkombëtare janë larguar nga Shqipëria gjatë këtyre viteve, duke përmendur shembuj si Shell, që shpenzoi mbi 1 miliard euro në kërkimin e naftës, si dhe projekte të tjera në real estate që kapnin mbi 1.5 miliard euro, por u zëvendësuan nga kartelet e drogës.

“PD do të vazhdojë misionin e saj të transparencës së plotë, pavarësisht avoketërve të narkoshtetit, pavarësisht çfarë pozicioni kanë dhe ku ndodhen, me bindjen e plotë se narkoshteti shqiptar është rrezik madhor për qytetarët shqiptarë, për qytetarët e rajonit, për BE-në dhe për partnerët tanë përtej Atlantikut”, përfundoi Berisha.

Lini një Përgjigje