Burime brenda PD-së bëjnë me dije se synimi është një protestë dinamike, e cila të mos përqendrohet vetëm në një pikë fikse.
Opozita do të zhvillojë ditën e nesërme në orën 18:00 protestën e radhës në Tiranë, duke sinjalizuar një ndryshim të qartë në mënyrën e organizimit. Ndryshe nga tubimet e mëparshme, këtë herë nuk do të ketë fjalime nga podiumi, ndërsa organizatorët kanë lënë të hapur mundësinë e marshimeve, bllokimeve të akseve rrugore apo edhe qëndrimit përpara Kryeministrisë.
Strukturat e Partisë Demokratike kanë zhvilluar gjatë ditës së premte takimet përmbyllëse organizative, ku është diskutuar logjistika dhe koordinimi i pjesëmarrjes. Burime brenda PD-së bëjnë me dije se synimi është një protestë dinamike, e cila të mos përqendrohet vetëm në një pikë fikse.
Ky zhvillim vjen pas deklaratave të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili të mërkurën paralajmëroi “diversifikim” të formave të protestës. “Do eksplorohen forma të reja”, tha ai, duke theksuar se “asgjë nuk përjashtohet”.
Thelbi i kërkesës së opozitës mbetet i pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike që, sipas saj, do të garantonte zgjedhje të parakohshme dhe proces të drejtë elektoral.
Në daljet e fundit publike, Berisha ka përdorur tone të forta, duke deklaruar se kërkon “dorëheqjen e menjëhershme” të kreut të qeverisë. Ai ka paralajmëruar gjithashtu përballje politike nëse, sipas tij, kërkesat e opozitës nuk merren parasysh.
Protesta vjen vetëm dy ditë pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar, ku kryeministri Rama largoi nga detyra Belinda Ballukun dhe dy ministra të tjerë, ndërsa lëvizjet prekën 7 poste në total. Ndryshimet janë interpretuar nga opozita si shenjë presioni politik, ndërsa nga qeveria janë paraqitur si pjesë e një riorganizimi të brendshëm.
Theksojmë se deri tani nuk është bërë publik itinerari i plotë i protestës, kohëzgjatja apo mënyra se si do të organizohet lëvizja e protestuesve nëse do të ketë marshim. Gjithashtu, nuk dihet nëse Policia e Shtetit ka miratuar një plan konkret për menaxhimin e rendit dhe trafikut, pasi nuk ka një njoftim zyrtar.
Megjithatë 1700 punonjës policie do të jenë të angazhuar në terren për të siguruar rendin.
E paqartë mbetet edhe pjesëmarrja e partive të tjera opozitare apo grupeve të shoqërisë civile. Të shohim çfarë do ndodhë nesër, do jetë një tubim si ato që jemi mësuar të shohim, apo vërtet opozita ka riorganizuar skenarët./Pamfleti
vazhdo i qete Sali CARI, perserit 97. Perderi Spaku, nuk merret me ty, ke te drejte