“Pamfleti” një ditë më parë raportoi se sot do të shkonin në Athinë dy ekspertë detarë të Ministrisë së Mbrojtjes për të diskutuar kufirin detar. Por sot ambasada shqiptare në Athinë, njofton se atje ka shkuar Nikos Dendias...
Konfirmohet ajo që “Pamfleti” tha një ditë më parë se Edi Rama ka nisur negociatat e fshehta me grekët për kufirin detar. Që kur Begaj mori Presidencën është folur se palët do të rinisnin bisedimet dhe duket se sot janë hedhur hapat e parë për gjetjen e pazarit.
Një ditë më parë “Pamfleti” bëri me dije se më datë 7 maj 2023, dy ekspertë detarë të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, do udhëtojnë me avion drejt Athinës, nëpërmjet një agjencie ajrore greke, ku do të qëndrojnë 3 ditë.
Por një ditë më pas nga ky lajm, pra sot, ka dalë me një njoftim ambasada shqiptare në Athinë. Ajo bën me dije se ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka zhvilluar një vizitë në ambasadë.
“Të nderuar të mikprisnim në selinë e Ambasadës, ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, në një vizitë miqësore e cila shënoi një moment historik në vigjilje të përvjetorit të 52-të të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Ambasadorja e RSH-së në Athinë, Luela Hajdaraga, shoqëruar nga personeli diplomatik i Ambasadës kanë rezervuar një pritje të ngrohtë tradicionale shqiptare në nder të Dendias, i cili gjatë mandatit të tij si Ministër i Jashtëm ka kontribuar në mënyrë proaktive në lartësimin e nivelit të marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet në njoftim.
Sipas ambasadës, ministri Dendias ka marrë pjesë si i ftuar special nga Ambasadorja Hajdaraga, në drekën e punës shtruar në kuadër të takimit të grave ambasadore të akredituara në Greqi. Edhe pse nuk bëhet e ditur nga ambasada, mësohet se vizita është bërë dy ditë më parë.
Por edhe pse nuk përmendet çështja e detit, në fakt vizita e tij nuk është aspak rastësore. Dyshimet janë se ai ka shkuar për të bërë gati terrenin e vizitës së dy ekspertëve nga Tirana, por dhe për të mbyllur pazarin për detin.

Vizita e dy ekspertëve ushtarak është konfirmuar edhe nga porositja e 2 biletave nga Ministria e Mbrojtjes, për të cilat u tha se “janë udhëtim për çështje rutinë” mes dy ministrive shqiptare e greke, por sipas informacionit që ka siguruar “Pamfleti”, ata janë hartues të draft- projektit për çështjen e detit dhe po dërgohen për këtë pazar. Pikërisht, dy ditë para vizitës së tyre ministrin shkon në ambasadë. Ndërkohë elementi tjetër është se ambasada e zbardh pas dy ditësh takimin, pra ditën kur ekspertët shkuan në Athinë. Me shumë mundësi pazari do jetë mbyllur. /Pamfleti
Lini një Përgjigje