
Programi është me 92 faqe dhe shpjegon me detaje planet për të gjitha fushat.
Kandidati për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi ka publikuar programin e tij të plotë për kryeqytetin.
Bazat e programit të Belind Këlliçit, janë transporti falas, lehtësitë për biznesin në zonat urbane të Tiranës, arsimi, mjedisi, Tirana inteligjente, planifikimi urban i kryeqytetit, përmirësimi i shërbimit me ujë të qytetarëve të Tiranës, shërbimi social, trashëgimia kulturore dhe historike dhe sporti.
“Programi im i plotë që sjell ndryshimin. Është në dorën tuaj Tirana”, shkruan Belind Këlliçi.
Programi është me 92 faqe dhe shpjegon me detaje planet për të gjitha fushat. Sigurisht që vëmendja më e madhe është te transporti falas. “Për të shmangur mbipopullimin derisa të blihet numri i nevojshëm i autobusëve, kjo reformë do të zbatohet gradualisht duke filluar nga shtresat në nevojë. Brenda dy vjetësh, Bashkia e Tiranës do të subvencionojë blerjen e autobusëve të rinj elektrikë nga operatorët privatë të autobusëve, në mënyrë që të rritet sasia, shpeshtia dhe cilësia e qarkullimit me autobusët qytetës”, shprehet Këlliçi në program.
Sipas tij, Bashkia do të nxisë kalimin drejt autobusëve elektrikë që kanë kosto operacionale shumë herë më të ulët se ata me karburant. Secili autobus do të ketë pajisje GPS për të treguar vendndodhjen që do shfaqet në kohë reale në stacione dhe internet.
“Transporti do të bëhet shumë më i sigurt, sepse secili autobus do të ketë kamera të brendshme ndërsa stacionet e autobusëve do të jenë me kamera e ndriçim të bollshëm”, theksohet në program.
Lini një Përgjigje