Nëse Ilir Meta, i cili noton mbi para, nuk shkon në burg, atëherë reforma ka rënë...
Arrestimi i Ilir Metës, do të jetë testi final i SPAK. Që pas izolimit të Berishës në banesë në fund të dhjetorit, SPAK është kursyer te goditjet e mëdha në nivel politik, duke u fokusuar më shumë te krimi i organizuar.
Padyshim dosja më e bujshme që është në duart e prokurorëve është ajo e Ilir Metës dhe Kryemadhit, të cilët janë tani në proces divorci. Ilir Meta po hetohet në dy drejtime. Një është dosja CEZ-DIA, ku është i angazhuar edhe Altin Dumani. Ndërsa në krahun tjetër ka një bashkim të dosjes së lobimeve, ndërhyrjeve estetike dhe pasurisë. Te kjo e dyta është edhe Monika Kryemadhi.
Është folur disa herë që mund të arrestohet Ilir Meta, por kurrë nuk ndodhi. Pak muaj më parë urdhër-arresti ishte gati, mirëpo SPAK u tërhoq pas presioneve të Metës. Pak javë më parë ai u mor sërish në pyetje dhe zërat thonë se dosjet janë duke u kopsitur. Pyetja që shtrohet tani është: Do të guxojë SPAK të prangosë Ilir Metën?
Nëse shohim metodologjinë që po ndjek SPAK, duket se kemi shembullin kroat. Mësohet se SPAK-u ka kryer përgjime dhe ka siguruar materiale të tjera hetimore, teksa flitet dhe për dëshmitarë të penduar. Po ashtu, SPAK ka siguruar SMS në telefonin e Monikës, teksa duket se ka pasur dhe përgjim ambiental për Metën. Po ashtu mësohet se po hetohet për pasuri të fshehura jashtë nga Meta, teksa në skaner janë futur të gjitha pronat e tij dhe të Monikës këtu.
Por kjo metodë që po ndjek Prokuroria, është e ngjashme me atë që bëri homologia kroate "USKOK", kur arrestoi ish-kryeministrin, Ivo Sanader. Rasti i tij ngjason në shumë aspekte me Metën. Ish-presidenti akuzohet se ka përfituar duke favorizuar CEZ-DIA. Ndërsa, Ivo Sander u dënua sepse kishte përfituar 10.000.000 € nga kompania hungareze "MOL", për ta favorizuar atë në tregun kroat.
Sa i takon hetimeve, gazetarët raportonin që Sanader mbante ora dore shumë të shtrenjta, një prej të cilave vlente mbi 100.000 Euro. Hetimi ka nisur pas indicieve të para dhe ishte shumë i vështirë grumbullimi i provave. Hetimi u krye nga një skuadër, që përbëhej nga 7 Prokurorë dhe që punonin 16 orë në ditë, përfshirë të Shtunat dhe të Dielat. Është arritur të merren fakte të rëndësishme, që çonin në konkluzionin se ish-kryeministri ishte përfshirë në aktivitete korruptive kriminale. Dëshmitarë të ndryshëm janë kontaktuar ku kanë dhënë fakte shumë të rëndësishme veçanërisht për fillimin e procesit.
Por, gjithë çështja është a do të guxojë SPAK? Apo do të dorëzohet përballë presioneve? Meta mësohet se ka angazhuar me kuç e me maç për të ndalur arrestimin. Përveç presioneve mediatike, mësohet se ka futur dhe njerëz për të ushtruar presion ndaj prokurorëve, pse jo edhe për t’i blerë. Tani SPAK është në test. Nëse Ilir Meta, i cili noton mbi para, nuk shkon në burg, atëherë reforma ka rënë. Sanaderi për të cilin folëm u dënua 3 herë me një total prej afro 18-vite burg. A do e ndjekë Dumani shembullin e tij? /Pamfleti
Lini një Përgjigje