
Departamenti Amerikan i Shtetit ka ulur "me këmbë në tokë" Greqinë, e cila po shkakton polemika me reagimet e saj për arrestimin e Fredi Belerit në Himarë për blerje votash.
Departamenti Amerikan i Shtetit në një reagim për mediat greke thotë se ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, rrjedhimisht edhe për Fredi Belerin, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës.
Mediat greke raportojnë se një përfaqësues i Departamentit të Shtetit të SHBA-së kërkoi të sigurohet vlefshmëria e zgjedhjeve, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë ligjet dhe rregullat në mënyrë të barabartë.
“U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”, thuhet në deklaratën përkatëse.
Mediat greke bëjnë të ditur se Departamenti i Shtetit ka bërë këtë deklaratë për korrespondentët grekë në Washington: “Ne i kemi bërë vazhdimisht thirrje autoriteteve dhe partive politike që të sigurojnë që votuesit të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë ligjet dhe rregulloren e zgjedhjeve si dhe rregulloren ndërkombëtare, përfshirë ndalimin e shitblerjes së votave. U bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarë të ambasadës amerikane janë pjesë institucionesh të tjera ndërkombëtare për monitorimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin”.
Kujtojmë se kandidat i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, i cili u arrestua ditën e djeshme për blerje votash, pritet që të dalë sot para gjykatës në Vlorë. Mësohet se e pranishme do të jetë edhe ambasadorja greke në vendin tonë Konstantina Kamitsi.
Arrestimi i Fredi Belerit 2 ditë para zgjedhjeve të 14 majit ka sjellë reagime të shumta nga përfaqësues të politikës por edhe shtetit grek.
Vetë kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis reagoi ditën e djeshme dhe kërcënoi Shqipërinë me anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ndërsa kryeministri Edi Rama e cilësoi një sfidë për drejtësinë ndërsa kërkoi që të mos përziheshin deklaratat e tij kundër Belerit në këtë çështje.
Lini një Përgjigje