
Kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike lidhur me veprimtarinë e SPAK dhe arrestimet e zyrtarëve. Ai theksoi se kjo është një shenjë pozitive e funksionimit të drejtësisë së re, edhe kur prek përfaqësues të Partisë Socialiste.
“Para se të krijohej SPAK, kam thënë se edhe ne do të kemi dëshmorët tanë. SPAK nuk mund të vepronte si në kohën e Saliut, kur merrte prokurorët në telefon dhe sulmonte prokuroren në media. Ne sollëm ditën që qytetari i thjeshtë dhe zyrtari i lartë të shkojnë atje në mënyrë të barabartë. Ne na numërohen sa kanë shkuar atje, por tre liderë të Shqipërisë Madhështore janë aty. Duhet të gëzohemi që SPAK na ka ardhur dhe na ka futur ujin edhe ne”, tha ai për “News 24”.
Ndreu u shpreh se sot qytetarët e thjeshtë dhe zyrtarët e lartë paraqiten njësoj përpara drejtësisë, duke shtuar me ironi: "Na numërojnë sa kanë shkuar nga ne, por aty janë edhe tre liderët e ‘Shqipërisë Madhështore’. Duhet të gëzohemi që SPAK na ka ardhur dhe na ka futur ujin edhe ne".
Ndreu komentoi edhe kallëzimin penal të ngritur nga Partia Demokratike ndaj tij për ndërtimin e një trotuari në Shëngjin, duke e cilësuar çështjen si të pajustifikuar.
“Ishte për një trotuar që i shërbente komunitetit. Kishte shumë të vrarë dhe të plagosur, njerëzit dhe rruga ishin në të njëjtin vend. U tha pse nuk kemi marrë mendimin nga ARRSH, por ARRSH nuk e njeh trotuarin në kontratat e koncesionarit”, vijoi kryebashkiaku i Lezhës.
Ai shtoi se nuk kishte as dëm ekonomik dhe as shpërdorim në tenderin përkatës.
“Nuk është detyra ime t’i them drejtorit të Urbanistikës çfarë të bëjë, se nuk jam inxhinier. Në fund, u verifikua dhe u konkludua se pretendimi nuk qëndron”, përfundoi Ndreu.
Lini një Përgjigje