
Ka nisur zyrtarisht fushata e PS, për zgjedhjet e 11 majit. Pothuajse ashtu si çdo herë tjetër, edhe këtë herë, Rama ka zgjedhur që t’iu dhurojë popullit show me këngë e valle para zgjedhjeve.
Teksa u bë hapja e fushatës nga 12 drejtuesit e qarqeve të vendit tonë, ajo çfarë ra në sy ishte mania e tyre dhe sfidat për të “rrëmbyer” sa më shumë mandate në secilin qark.
Ishte qarku i Dibrës, me drejtuesin e saj politik Blendi Klosi që hapi fushatën e para dhe u shpreh i bindur në fitore.
“Besojmë te kjo forcë politike, besojmë në fitore. Do të jemi pjesë e BE brenda këtij mandati ndaj të votojmë Dibra e gjithë Shqipëria Edi Ramën dhe PS”, u shpreh Klosi.
Pas Dibrës, e dyta në rradhë që çeli fushatën ishte qarku i Fierit, ku ndryshe nga Dibra që nuk dha shifra, Belinda Balluku ishte e bindur se në Fier PS do të fitojë 11 mandate.
“Fieri ka një objektiv, 10 mandate deputetësh për t’i ulur në parlamentin shqiptar. Ndërkohë priten, 11 mandate nga ne. Nëse ne jemi të gjithë bashkë për Shqipërinë, me Ramën në krye nuk ka asgjë që na ndal", tha Balluku.
Ashtu me këngë e valle, edhe qarku i Kukësit me drejtues politik Eduart Shalsin, ishte i bindur se do të fitojë dy mandate.
“Kukësi me dy mandate, ua shpërblejmë me punë”, tha Shalsi.
Pas Kukësit, Durrësi ndryshe nga qarqet e tjera, zbarkoi në shesh me këngë italiane. Drejtuesja politike tha se në këto zgjedhje Durrësi do të marrë 9 mandate.
“Hyjmë në këtë garë si fitues me 8 deputetë, do ta përfundojmë garën të paktën me 9 deputetë”, tha Sako.
Edhe Lezha e kishte vendosur se në këto zgjedhje donte 4 mandate dhe kjo u bë e ditur nga drejtuesi politik i PS, Ulsi Manja.
“Më 11 maj, Lezha, Kurbini dhe Mirdita do të votojnë Edi Ramën dhe PS për të marrë jo më pak se 4 mandate, nga 7 që ka Qarku i Lezhës”, tha Manja.
Drejtuesi politik i rradhës që mbajti fjalën në shesh ishte, Arbjan Mazniku i Elbasanit. Ai tha se në qarkun e Elbasanit kërkojnë 9 mandate deputetësh.
“Qarku i Elbasanit është i vendosur për 9 mandate, një nga rezultatet më të mira që kemi pasur ndonjëherë”, tha Mazniku.
Më pas vijojmë me Shkodrës, ku edhe drejtuesi politik Benet Beci kërkoi 5 mandate.
“Shumë faleminderit që Kryeministri ka kthyer kokën nga ne dhe besoj se do të jemi edhe më shumë se 5 mandate në këtë qytet”, është shprehur Beci.
Ndërsa, Tirana nuk dha një shifër të saktë, por me bindje shprehen se duan një fitore të thellë.
“Betejat elektorale, ashtu si dhe betejat e tjera nuk fitohen në sprintin e fundit. Sot ka nisur sprinti i fundit. Po fitohen në maratonë. Dhe në këto tre mandate, Edi Rama dhe kjo skuadër ka treguar që janë manatorakë politik për Shqipërinë. Betejat fitohen kur ke vizion, kur ke lider, kur ke alternativë”, tha Elisa Spiropali.
Po ashtu, në të njëjtën udhë ishte edhe Berati i cili kërkon një rezultat të jashtëzakonshëm, ku sipas disa llogarive të thjeshta kërkon mbi 5 mandate.
“Jemi të bindur se 11 Maj do jetë rezultat i jashtëzakonshëm”, tha Ervin Demo.
Ndërsa Gjirokastra dhe drejtuesja politike, Mirela Kumbaro kërkon që të fitojë ‘ndeshjen’ 4 me 0.
“Kjo pikë e floririt që është Gjirokastra ka ngjyrosur edhe yjet, jemi ndër 12 yjet e Evropës që pa asnjë dilemë do tëe marrë më shumë vota për PS se në 2021, se në 2023, do blindojmë 3 mandate dhe synojmë mandatin e 4, për një rezultat historik 4 me zero”, u shpreh Kumbaro.
Teksa vijmë të dy të fundit, Vlora me Blendi Çuçin në krye kërkon 9 mandate.
“Vijmë sot në shesh me 8 mandate dhe në 11 Maj do të vijmë me 9 mandate”, tha Çuçi.
Ndërsa Korça me Niko Peleshin kërkon 7 mandate.
“Ne do sjellim 7 mandate nga Korça për fitoren e PS”, tha Peleshi./Pamfleti
Lini një Përgjigje