TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Prill 2025, 14:45

Çelja e fushatës/ Rama: Këneta ka prioritet rikthimin e bufit, Latifi nga SHBA nuk i shpëton dot

Shkruar nga Pamfleti

Çelja e fushatës/ Rama: Këneta ka prioritet rikthimin e bufit,

Për miun ka shumë kandidatë, ndërsa bufi dihet se kush është. E mbani mend atë të Kavajës që fitoi primaret, dhe bufi e kullufiti si mi, kjo është historia e atyre të kënetës

Kryeministri Edi Rama ashtu sikundër pritej e ka përqëndruar fjalimin e tij në hapjen e fushatës së PS-së për zgjedhjet e 11 majit te anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Rama tha se ndërsa për socialistët prioritet është anëtarësimi në BE, për kënetën prioritet është rikthimi i bufit për herë të tretë në pushtet. Kryeministri nuk ka lënë mënjanë batutat në drejtim të opozitës, por edhe Chris LaCivita, i cili do të drejtojë fushatën e demokratëve në zgjedhjet e 11 majit.

Rama tha se kjo i kujtonte atë historinë që kalamajtë e pallatit thërrisnin Latifin dhe i thoshin hajde se do na rrahin.

Kreu socialist tha se kënetën nuk e ndihmon dot as Latifi, që dje kishte postuar edhe një video me një buf që pyeste kush është miu.

“Për miun ka shumë kandidatë, ndërsa bufi dihet se kush është. E mbani mend atë të Kavajës që fitoi primaret, dhe bufi e kullufiti si mi, kjo është historia e atyre të kënetës”, tha Rama.

Kryeministri duke vijuar batutat për LaCivita tha ‘atij bravo i qoftë kur ka gjetur budallenj që e paguajnë.

“Bufi ka sjellë Latifin nga SHBA me kushedi sa para dhe atij bravo i qoftë që i merr paratë bufit të kënetës”, tha Rama.

Ai i ka bërë thirrje shqiptarëve që përtej bindjeve të tyre të bashkohen me Partinë Socialiste, jo për tu bërë socialistë, por për Shqipërinë Europiane, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Zonjë Shqipëria bëhet kur ne bijtë dhe bijat e saj do ti vendosim mbi kokë kurorën me yjet e Bashkimit Europian”, tha Rama.

 Kreu i Qeverisë gjithashtu paralajmëroi se kjo për zgjedhjet e 11 majit nuk do të ishte një fushatë e thjeshtë, por një kuvendim i madh fshat më fshat e qytet më qytet me të gjithë shqiptarët, përtej të majtës dhe të djathtës, për të mos humbur takimin tonë me historinë.

“Mes shqiptarit, grekut, italianit dhe kujdo tjetër, të mos ketë më asnjë dallim. Dhe jo vetëm të mos ketë asnjë dallim, por mos ketë shansin që ta shohë dikush nga poshtë lart”, tha Rama.

Ai tha se Shqipëria e sotme nuk do të jetë njëlloj me Shqipërinë e 2030 në Bashkimin Europian.

“Do të jemi një Shqipëri e re, një tjetër vend, me një tjetër pozicion dhe me një tjetër fuqi, me të drejta që sot nuk i kemi ende dhe as nesër nuk do i kemi nëse nuk bëhemi pjesë e asaj familjeje”, tha Rama.

Kryeministri tha se kush hyn në atë shtëpi, nuk luan më dot kukafshehti me qytetarët e vet, askush nuk e vë dot në dyshim drejtësinë para ligjit.

Duke folur për reformën në drejtësi, Rama tha se askush tjetër përveç socialistëve nuk mund të bënte dhe garantonte këtë reformë.

“11 maji nuk është zgjedhje mes disa partive, por mes Shqipërisë 2030 në BE apo mes asaj drejt e në gropë. Me ne apo me kënetën madhështore, me ne apo me moçalet e vogla rreth saj. Vetëm Shqipëria2030, blindon themelin e barazisë para ligjit, që PS pati kurajon ta hedhë. Deri kur ne ta fusim zonjën Shqipëri në sallonin kryesor të BE-së, vetëm unë dhe shqiptarët e bashkuar me ne, mund të mbrojmë drejtësinë e re nga llumi i kënetës”, tha Rama.  

Ai theksoi se përpara nesh është vetëm një datë 11 maji dhe pas saj vetëm 1 mandat për të fituar bastin historik për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Kemi shansin të ndryshojmë rrjedhën e historisë, kemi në dorë fatin europian të Shqipërisë”, theksoi Rama.

Ai e konsideroi si një marshim të fundit drejt tokës së premtuar të Europës, anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe për t’u bërë njësh me të.

 

Lini një Përgjigje