
Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i PS-së, në fjalën e mbajtur në mitingun e hapjes së fushatës së socialistëve për zgjedhjet e 11 majit, tha se vetëm ne kemi në dorë fatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Rama e përqëndroi fjalën e tij në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, duke e cilësuar këtë si mundësinë e artë që ka Shqipëria.
“Kemi shansin historik për të hedhur hapin përfundimtar drejt Europës”, tha Rama.
Ai theksoi se përpara nesh është vetëm një datë 11 maji dhe pas saj vetëm 1 mandat për të fituar bastin historik për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Kemi shansin të ndryshojmë rrjedhën e historisë, kemi në dorë fatin europian të Shqipërisë”, theksoi Rama.
Ai e konsideroi si një marshim të fundit drejt tokës së premtuar të Europës, anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe për t’u bërë njësh me të.
"Fati na e dha ne shansin që t’ia ndryshojmë rrjedhën historisë përgjithnjë.
Tamam këtu, tani, një kryqëzim mes një palë zgjedhjesh politike dhe një mundësie historike për Shqipërinë që vetëm në 4 vjet mund të bëhet zonjë e familjes së bashkuar europiane.
Vetëm ne kemi në dorë fatin europian të Shqipërisë. Kemi 30 ditë para për t’u lidhur me çdo shqiptar që e do zonjën e Shqipërisë në sallonin e BE dhe veten e vet qytetar të barabartë të BE”, tha ai.
Lini një Përgjigje