
Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj, ka komentuar daljet publike të vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi, e cila është parë në protestat e zhvilluara për të atin.
Ai theksoi se Malltezi nuk është personi që do t’i nevojitej Partisë Demokratike në këto momente.
Gjekmarkaj vlerësoi mbrojtjen që ajo bën për të atin dhe betejën juridike për të, por thekson se Partisë Demokratike i duhen ‘mbiemra’ të tjerë për ta udhëhequr.
“I druhem gjithmonë mundësisë për të abuzuar. E kam ndjekur daljet e zonjës Malltezi. Mendoj që është përfshirë emocionalisht në betejën juridike të Berishës, është babai dhe mendoj që bën gjënë e duhur që mbron të atin sepse nuk jemi në komunizëm. Duke parë deklaratat e zonjës ajo ka mohuar përfshirjen e saj në politike. Atë mund ta favorizojë mbiemri tek militantët, mund të bëhet pjesë, por nuk e di nëse është personi i duhur? Unë mendoj që nuk është. PD-së për njëfarë kohë i duhen mbiemra të tjerë për ta udhëhequr. Por unë nuk e shoh të duhurën. Mendoj që nuk do të ishte gjëja e duhur dhe do të krijonte përshtypjen e një trashëgimie familjare, që nuk do të ishte aspak e mirë për një parti me histori si PD-ja”, tha deputeti për “Abc News”.
Lini një Përgjigje