
Palët në Partinë Demokratike po përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët për një bashkim të mundshëm të opozitës, por edhe në rast se kjo nuk ndodh ata shohin mundësinë e krijimit të një partie të re.
Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj ka thënë se po punohet për bashkimin e Partisë Demokratike.
Vetë ai është shprehur kundër çdo tentative që çon në përçarje.
“Ky grup po bën gjithçka që PD të bashkohet dhe i fton të gjithë që të bashkohen rreth idesë që PD duhet të funksionojë si një e vetme. Është në proçes bisedimesh me grupin e Rithemelimit dhe shpresojmë t’ja dalim. Unë mendoj që duhet të jetë një bashkim mbi parime. Pra nëse ndodh duhet të ruajë vijat e kuqe të veta, të bashkohet kundër qeverisë. Këtu po ndodhin gjëra të tmerrshme dhe duket sikur e ka fajin grupi i mesit. Duket sikur opozita po e keqqeveris këtë vend, ne kemi një përgjegjësi, por nuk kemi përgjegjësinë e qeverisë”, ka thënë Gjekmarkaj.
Megjithatë Gjekmarkaj sqaron edhe për rastin kur mes palëve brenda opozitës nuk mund të gjehet gjuha e përbashkët.
Sipas tij në këtë rast, palët mund të mendojnë të përfaqësohen si parti të pavarura.
“Nëse nuk gjendet modusi për të respektuar diferencat, këto nuanca të ndryshme, atëherë këtij grupi i lind e drejta të mendojë ekzistencën e vet politike të pavarur. Uroj shumë të mos ndodhë dhe të gjendet konsensus që PD të bashkohet. Por nëse për një arsye meskine kjo nuk realizohet është e drejtë e këtyre njerëzve të mbeten në politikë të jenë përfaqësues dhe të përfaqësohen pa hyrë në konflikt. Këtë ide ndoshta unë e kam artikuluar më shumë, por edhe kolegë të tjerë e diskutojnë. Nuk përdor termin parti sepse nuk dua të kushtëzoj negociatat dhe as të bëj presion”, tha Gjekmarkaj në ABC News.
Lini një Përgjigje