TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Prill 2024, 16:24

Arben Shehu në një linjë me Dumanin dhe Çelën: Institucionet të jenë më bashkëpunuese, zbatoni rekomandimet e KLSH!

Shkruar nga Pamfleti
Arben Shehu në një linjë me Dumanin dhe Çelën:
Arben Shehu

Shfrytëzoj rastin për të sjellë në vëmendjen e titullarëve të institucioneve publike të ndërmarrin veprime konkrete në zbatimin e plotë të rekomandimeve tona...

Institucionet publike duket se kanë marrë urdhër të fshehin të gjitha pisllëqet. I pari që dha alarmin ishte kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili bëri me dije se Tatimet, Doganat dhe grupet e auditimit në ministri nuk raportojnë për shkeljet e gjetura.

Gjatë vitit që lamë pas ka pasur vetëm 12 denoncime nga administrata. Të njëtën gjë tha dhe kryeprokurori Olsian Çela, pasi nuk raportohet as në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Por në një linjë me ta është edhe kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu. Ai ka dërguar në Kuvend raportin e punës për vitin që lamë pas, ku përveç gjetjeve të shumta, në raport ka dhe një fjalë hyrëse për deputetët. Shehu shprehet se jo të gjitha institucionet janë bashkëpunuese në auditim, teksa kërkon që të zbatohen rekomandimet e lëna.

Një angazhim më i madh i Qeverisë dhe i Kuvendit në rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve tona do të nxisë mirëqeverisjen e institucioneve publike, si dhe nëpërmjet rritjes së bashkëveprimit do të nxisë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të veprimtarisë audituese, duke sjellë vlerë dhe krijuar impakt pozitiv në përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Në këtë kuadër, shfrytëzoj rastin për të sjellë në vëmendjen e titullarëve të institucioneve publike të ndërmarrin veprime konkrete në zbatimin e plotë të rekomandimeve tona, me qëllim reflektimin dhe ofrimin e sigurisë së nevojshme, që fondet publike shpenzohen dhe pasuria publike administrohet e menaxhohet në përputhje me kuadrin ligjor dhe objektivat përkatës të zhvillimit të vendit”, shprehet Shehu.

Fjala e plotë

Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit raportin vjetor të veprimtarisë së tij për vitin 2023, bazuar në përcaktimet e nenit 164 të Kushtetutës, kërkesave të nenit 31 të ligjit 154/2014 “Për organizmin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, si institucion kushtetues i pavarur, i ngritur për t'i shërbyer qytetarëve shqiptarë, Kuvendit dhe palëve të tjera të interesit duke i informuar ata vazhdimisht, në mënyrë të plotë dhe të paanëshme mbi përgjegjësitë që qeveria dhe organet publike ushtrojnë gjatë përdorimit të fondeve publike të taksapaguesit shqiptarë, duke dhënë kështu kontribut në përmirësimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit.

Ky raport ofron një pasqyrë të përmbledhur se si burimet publike që u janë besuar për menaxhim institucioneve publike janë përdorur për të arritur rezultatet dhe objektivat e vendosura në programet dhe politikat qeverisëse me synim mirëqenien e qytetarëve shqiptar, duke i shërbyer kështu Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me informacione të rëndësishme për të siguruar dhe nxitur llogaridhënien, përgjegjshmërinë dhe transparencën e njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore si dhe përkushtimin e tyre për menaxhimin sa më të mirë dhe efikas të burimeve publike.

Bazuar në këto detyrime, nëpërmjet Raportit vjetor të Performancës paraqitet puna audituese e 160 misioneve të auditimit të kryera në 195 subjekte, në zbatim të Standarteve Ndërkombëtare të Auditimit, Manualeve të auditimit të aplikuara në KLSH, si dhe në vlerësimin material dhe cilësor të gjetjeve të auditimit, duke konkluduar me dhënien e 185 Opinioneve të Auditimit mbi pasqyrat financiare të subjektit të audituar dhe mbi përputhshmërinë e aktivitetit.

Këto misione auditimi kanë përfshirë njësi të qeverisjes së përgjithshme (njësitë e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, të krijuara me Kushtetutë, si dhe ato të krijuara me ligj ose vendim të Këshillit të Ministrave, që kanë si veprimtari të tyre parësore përmbushjen e funksioneve të qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore, shoqëritë publike etj.); Fondet speciale etj., me synim që nëpërmjet tyre të ndihmojë në përmirësimin e performancës dhe të sigurojë përgjegjshmërinë e qeverisjes duke rekomanduar përmirësime dhe ndryshime ligjore, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike apo shërbimet e tjera, dhe të promovojë menaxhim më të mirë nga Institucionet.

Ky synim i Kontrollit të Lartë të Shtetit është ngushtësisht i lidhur me shkallën e zbatimit të rekomandimeve dhe masave të adresuara institucioneve publike.

Shkalla mesatare e zbatimit të plotë të këtyre rekomandimeve, ndonëse në pjesën më të madhe të pranuara, tregon për nevojën në rritje të angazhimit të institucioneve publike në vlerësimin, hartimin dhe zbatimin e masave për problematikat e evidentuara gjatë auditimeve të KLSH-së.

Një angazhim më i madh i Qeverisë dhe i Kuvendit në rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve tona do të nxisë mirëqeverisjen e institucioneve publike, si dhe nëpërmjet rritjes së bashkëveprimit do të nxisë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të veprimtarisë audituese, duke sjellë vlerë dhe krijuar impakt pozitiv në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

Në këtë kuadër, shfrytëzoj rastin për të sjellë në vëmendjen e titullarëve të institucioneve publike të ndërmarrin veprime konkrete në zbatimin e plotë të rekomandimeve tona, me qëllim reflektimin dhe ofrimin e sigurisë së nevojshme, që fondet publike shpenzohen dhe pasuria publike administrohet e menaxhohet në përputhje me kuadrin ligjor dhe objektivat përkatës të zhvillimit të vendit.

Raporti i performancës për vitin 2023 është përgatitur në përputhje me Vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr.134/2018, datë 20.12.2018, dhe Manualin e Monitorimit Vjetor, sipas të cilit çështjet që duhet të përfshihen në përmbajtjen e raportit vjetor, në funksion të shqyrtimit të veprimtarisë nga Kuvendi, i referohen ligjit mbi të cilat mbështetet veprimtaria e institucionit; rekomandimeve të Progres-raportit të BE-së për Shqipërinë dhe shkallës së përmbushjes së këtyre rekomandimeve nga KLSH; informacionit të detajuar për nivelin e zbatimit të rezolutës së Kuvendit; ndryshimeve që i janë bërë kuadrit rregullator;

aktivitetit auditues si detyrim kushtetues institucional, shoqëruar me krahasime statistikore me vitin e mëparshëm; statusit të zbatimit të rekomandimeve që KLSH ka dhënë për subjektet e audituara; organizimit të brendshëm të institucionit; të dhënave për të ardhurat dhe shpenzimet, përfshirë fondet e përfituara nga donatorë, si dhe marrëdhëniet dhe komunikimi me institucionet ligj zbatuese.

Raporti Vjetor i Kontrollit të Lartë të Shtetit përmban një analizë të veprimtarisë institucionale gjatë një viti, duke evidentuar punën dhe arritjet për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe të zbatimit të Strategjisë së Zhvillimit 2023-2027. Raporti paraqet një analizë të veprimtarisë audituese vjetore, si dhe të zhvillimit dhe bashkëpunimit institucional. Pjesë përbërëse e Raportit Vjetor janë edhe treguesit buxhetorë dhe financiarë të KLSH-së për vitin 2023, së bashku me konkluzionin e auditit të brendshëm.

KLSH, gjatë vitit 2023 ka përmbushur përgjegjësitë e veta kushtetuese, ligjore dhe misionin institucional, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të auditimit, me qëllim forcimin e përgjegjshmërisë, rritjen e transparencës dhe parandalimin e rasteve të keqpërdorimit të fondeve publike, duke rritur në vazhdimësi profesionalizmin dhe ruajtur integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë si vlera themelore të Institucioneve Supreme të Auditimit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në linjë me rekomandimet e progres raportit të KE-së (Kapitullit 32 auditimi i jashtëm), si dhe mbështetjen në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-të), të cilët përshijnë një objektiv të veçantë (objektivi 16) për "nxitjen e shoqërive paqësore dhe përfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, sigurimin e qasjes në drejtësi për të gjithë, dhe ngritjen e institucioneve efikase, llogaridhënëse dhe përfshirëse" është i fokusuar që puna e tij të paraqesë një nivel të lartë të cilësisë së veprimtarisë audituese në përgjigje të pritshmërive që Kuvendi, taksapaguesit dhe çdo palë interesi presin nga KLSH, në dobi të mirëqeverisjes dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve, pa veçuar detyrimin ndaj partnerëve ndërkombëtarë të cilët janë mbështetësit tanë kryesor në përmbushjen e reformave për integrimin e vendit në BE.

KLSH, si institucioni më i lartë i auditimit ekonomiko-financiar, objektivitetin dhe pavarësinë institucionale e siguron përmes ushtrimit të mandatit të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj dhe në pajtueshmëri me standardet profesionale të auditimit, kodin e etikës dhe normat e sjelljes profesionale, për të siguruar rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në përdorimin e parasë publike nga institucionet e qeverisjes qendrore dhe lokale, duke qenë një mbikëqyrës i financave publike, rekomandon për profesionalizëm dhe përgjegjshmëri të lartë të administratës shtetërore.

Sa më sipër, jam i bindur se eksperienca dhe përkushtimi i stafit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, janë një garanci më shumë për përmbushjen e detyrave tona dhe objektivave të zhvillimit të vendit./ Pamfleti

Lini një Përgjigje