
Luçiano Boçi, nënkryetar i PD-së, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me vendimin e fundit të Apelit të GJKKO-së, që vendosi masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dy herë në muaj për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Duke e konsideruar vendimin e Apelit të GJKKO-së si të diktuar në zyrat politike, Boçi thekson se drejtësia sot është “afërmendsh” aneksi zgjedhor i PS.
“Për ata që ende çirren e besojnë se ka drejtësi në këtë vend të shpopulluar nga njerëzit dhe nga vlerat dhe ende nuk shohin batakun politik ku ajo noton, le të gjykojnë sot se çfarë domethënie ka vendimi i sotëm ndaj Sali Berishës.
Një drejtësi politike që përdor një SPAK për kapak për Ramën e krimet e tij, një SPAK si kajmak për vemjet e dala nga gjirizi sorosian e një SPAK si dajak për opozitën dhe që përdor GJKKO për ta çuar drejtësinë në K.O, është një Padrejtësi e padurueshme.
Drejtësia e pushtuar nga frika politike ndaj Sali Berishës e opozitës dhe e verbuar nga revanshi politik, është për një vend më destruktive se dhe vetë Kaosi.
Bashkohuni me opozitën për të ndarë njëherë e mirë drejtësinë nga padrejtësia politike që sundon prej vitesh midis nesh”, shkruan Boçi në reagimin e tij.
Pas vendimit të Apelit të GJKKO-së pati një seri reagimesh nga deputetë dhe zyrtarë të PD-së që e konsideruan si politike masën e vendosur ‘detyrim paraqitje’.
Lini një Përgjigje