
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka vendosur sot masën e sigurisë 'detyrim paraqitje' 2 herë në muaj për ish kryeministrin Sali Berisha.
Apeli i GJKKO ka vënë ish kryeministrin Sali Berisha përpara provës së madhe teksa ka rikthyer edhe një herë masën detyrim paraqitje për kreun e PD. Ky i fundit nuk e zbatoi për herë të parë masën e sigurisë të vendosur nga Gjykata, gjë e cila bëri që Berisha të izolohej për rreth 11 muaj në banesën e tij.
Engert Pëllumbi rrëzoi vendimin e gjyqtares Floreja Davidhi që hoqi masën e sigurisë dhe riktheu Berishën në masën e sigurisë 'detyrim paraqitje' 2 herë në muaj.
Por tani që Berisha është në dijeni se moszbatimi i masës për tu paraqitur dy herë në muaj në Apelin e GJKKO e rikthen në qeli, a do ta zbatojë ish kryeministri këtë masë?
Gjatë seancës që zgjati një orë e gjysmë, avokatët e Berishës kërkuan lënien në fuqi të heqjes së masës qe kishte vendosur Shkalla e Parë. Nga ana tjetër, SPAK kërkoi rrëzimin e kësaj kërkese. Në fund, gjyqtari vendosi për masën ‘detyrim paraqitje’.
Tre javë më parë, SPAK apeloi në Apelin e Posaçëm lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga arresti shtëpiak dhe kërkoi rikthimin e masës. Berisha u lirua në 27 nëntor 2024 pas qëndrimit për rreth 1 vit në arrest shtëpiak, pasi akuzohej si i përfshirë në dosjen “Partizani”.
Njoftimi i Apelit të Posaçëm:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 03.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 276 akti, datë 26.12.2024 regjistrimi, dhe vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 674, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në këtë mënyrë:
Rrëzimin e kërkesës së të pandehurit S.B. për shuarjen e masës së sigurimit me karakter shtrëngues “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, e caktuar ndaj tij me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, e caktuar ndaj të pandehurit S.B. me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
Urdhërohet i pandehuri Sali Berisha të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
Lini një Përgjigje