Pas vendimit të dhënë ditën e sotme nga Apeli i GJKKO për masën detyrim paraqitje për Sali Berishën, ka ardhur edhe reagimi i parë nga Partia Demokratike.
Nënkryetari i PD dhe i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, shprehet se ky ishte një vendim absurd dhe përpjekje e hapur për t’u bërë krah me mazhorancën.
“Një tjetër vendim absurd i Gjykatës së Posaçme ndaj Sali Berishës. Një përpjekje e pafshehur për tu bërë krah dhe bllok i vetëm me mazhorancën për zgjedhjet e ardhshme! Shqiptarët do të dinë ti japin përgjigje me 11 Maj kësaj sfide. Historia bashkëkohore ka dëshmuar që fitimi i betejave për Sali Berishën është thjeshtë çështje kohë!”, shprehet nënkryetari i PD.
Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur ditën e sotme masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ai do duhet të paraqitet dy herë në muaj para policisë gjyqësore. Vendimi u dha nga gjyqtari Engert Pllumbi.
“Urdhërohet i pandehuri Sali Berisha të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00”, njoftoi gjykata.
Avokati i Berishës u shpreh pas seancës se janë të paqartë me vendimin. Sipas Genc Gjokutajt, ai nuk zgjidh asnjë lloj problemi.
“Ju them që ne nuk e kemi të qartë këtë vendim. Vijmë prapë në krye të herës te kjo histori. Duhet të keni parasysh që vendimi nuk është zbardhur, por ky vendim është zgjidhja më e keqe që është dhënë ndonjëherë sepse kjo nuk ka zgjidhur asnjë lloj problemi, përveçse ka hapur një kapitull të ri që sigurisht ne do ta ndjekim”, tha Gjokutaj.
I pyetur se nëse Berisha do të paraqitet në policinë gjyqësore pas vendimit, Gjokutaj tha se “nuk bëjmë parashikime, vendimmarrja është e Berishës”.
Lini një Përgjigje