Gjykata Kushtetuese ka 3 opsione për të dalë me një vendim: të rrëzojë SPAK dhe GJKKO, duke vendosur kështu precedentin që një anëtar i Këshillit të Ministrave nuk mund të pezullohet nga detyra pa marrë më parë një autorizim, të rrëzojë kërkesën e Kryeministrit Edi Rama, duke i hapur rrugën SPAK dhe GJKKO-së në të ardhmen për të vepruar në të njëjtën mënyrë, nëse do të ketë nën hetim cilindo nga anëtarët e Qeverisë, ose të delegojë çështjen në Komisionin e Venecias, duke kërkuar një interpretim...
Tetë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese mblidhen sot për të marrë një vendim lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.
Pesë ditë më parë, Kushtetuesja zhvilloi një seancë plenare të hapur lidhur me kërkesën e depozituar nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa palët në proces, përfshi edhe Kuvendin, SPAK dhe Presidencën, dhanë argumentet e tyre pro dhe kundër, sa i takon asaj nëse një anëtar i Këshillit të Ministrave mund të pezullohet ose jo nga detyra, pa marrë më parë autorizimin.
Gjithçka lidhet me vendimin e GJKKO-së, pas kërkesës së SPAK-ut, për pezullimin nga detyrat qeveritare të Belinda Ballukut, ministres së Infrastrukturës dhe zv.Kryeministre. Kjo e fundit është marrë e pandehur nga SPAK dhe i është komunikuar akuza, ndërsa vendimi i GJKKO-së u kundërshtua ashpër nga Kryeministri Edi Rama.
Në seancën e pesë ditëve më parë, GJKKO nuk preferoi të ishte pjesë e gjykimit, duke sqaruar këtë pozicion me ruajtjen e pavarësisë.
Në anën tjetër, SPAK ka kërkuar në Kuvend autorizimin për vendosjen e një mase sigurie më të ashpër ndaj Ballukut, kërkesë që do të trajtohet më 28 janar nga Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve.
Gjykata Kushtetuese ka 3 opsione për të dalë me një vendim: të rrëzojë SPAK dhe GJKKO, duke vendosur kështu precedentin që një anëtar i Këshillit të Ministrave nuk mund të pezullohet nga detyra pa marrë më parë një autorizim, të rrëzojë kërkesën e Kryeministrit Edi Rama, duke i hapur rrugën SPAK dhe GJKKO-së në të ardhmen për të vepruar në të njëjtën mënyrë, nëse do të ketë nën hetim cilindo nga anëtarët e Qeverisë, ose të delegojë çështjen në Komisionin e Venecias, duke kërkuar një interpretim. Opsioni i tretë do të zgjaste edhe më tej procesin dhe do të shtonte debatet politike.
Çfarë ndodhi në Kushtetuese
Në seancën e 5 ditëve më parë në Gjykatën Kushtetuese, përfaqësuesit e SPAK kanë mbrojtur qëndrimin e tyre, të lënë në fuqi edhe nga GJKKO, përsa i takon pezullimit të Belinda Ballukut nga postet qeveritare, pasi iu komunikuan akuzat lidhur me disa tendera që ishin nën hetim nga Prokuroria Speciale.
Në argumentet përpara Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të masës së pezullimit ndaj Ballukut, prokurori i SPAK, Dritan Prençi, tha se hetimet kanë zbuluar prova për vepra të tjera penale.
Sipas tij, ushtrimi i detyrës do të cënonte disa sektorë të ekonomisë duke paraqitur rrezikshmëri të lartë.
“Hetimet e deritanishme kanë zbuluar prova se ajo mund të ketë kryer edhe vepra të tjera penale. Drejton një Ministri shumë të madhe, rrezikshmëria shoqërore është e lartë. Vijimi i ushtrimit të detyrës do të cënonte ekonominë e tregut dhe iniciativën e lirë. Dëmton pjesëmarrjen e drejtë të biznesit privat”, tha Prençi.
Sipas SPAK, pala kërkuese (Kryeministri) nuk legjitimohet si subjekt procedural për të aktivizuar kontrollin e Gjykatës Kushtetuese, pasi nuk është subjekt i drejtpërdrejtë dhe nuk ka provuar ekzistencën e një interesi personal dhe aktual, të shoqëruar me pasoja të pariparueshme apo rrezik konkret nga kryerja e tij.
“Pretendimet e kërkuesit bazohen në interpretime të ligjit, pa u provuar ekzistenca e një raporti juridik të cenuar me pasoja konkrete”, thuhet në qëndrimin e SPAK.
Sipas prokurorisë, në këtë çështje nuk konstatohet konflikt kompetencash dhe mungon një çështje kushtetuese reale që të justifikojë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese.
SPAK thekson se nuk mund të pretendohet konflikt kompetencash mes GJKKO-së dhe Kryeministrit.
Në anën tjetër përfaqësues të Kryeministrisë dhe Kuvendit kanë paraqitur argumentet e tyre, duke e cilësuar vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga funksionet qeveritare si cënim të pushtetit ekzekutiv nga gjyqësori. Sipas tyre, ministrat gëzojnë imunitet ashtu si edhe deputetët, ndaj çdo masë duhet të kalojë përmes Kuvendit…
“GJKKO dhe SPAK pretendojnë se kjo është një kërkesë që nuk mund të ngrihet pasi nuk janë shteruar të gjitha shkallët e gjykimit për masën e sigurimit.
Ky nuk është një ankim kushtetues individual. Kërkimet dhe shkaqet që ngrihen në kërkesë nuk kanë të bëjnë as me nevojën e sigurimit të të pandehurit, as me objektin e procedimit penal, as me të drejtat themelore të të pandehurit në procesin penal. Kërkimet kanë të bëjnë me marrëdhënien ndërmjet 3 pushteteve.
A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër, njësoj siç mund të pezullojë çdo zyrtar tjetër të pushtetit ekzekutiv?
Ne vlerësojmë se jo, megjithatë argumentat i përkasin themelit të çështjes. Për legjitiminin sqarojmë se Këshilli i Ministrave vjen në këtë gjykim si organ të cilit i është pezulluar veprimtaria në një prej fushave të përgjegjësisë shtetërore, fusha e infrastrukturës dhe energjisë.
GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra, ka pezulluar jo vetëm vendimmarrje e ministrit brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë sepse ministri nuk mund të propozojë asnjë projekt në kompetencë të tij.
Prokuroria e Posaçme pretendon se aktet nuk propozon dot më ministri, tashmë mund ti propozojë Kryeministri. Ky argument nuk qëndron sepse Kryeministri propozon vetëm akte që nuk i përkasin fushës së asnjë Ministrie tjetër dhe që i janë dhënë atij shprehimisht si detyra me ligj të posaçëm.
Kryeministri legjitimohet si organi që po vendoset në kushte që e detyojnë të zëvendësojë një anëtar të qeverisë. Pezullimi e detyron kryeministrin që të propozojë shkarkimin dhe emërimin e një ministri të ri në mënyrë që të vijojë funksionimi normal i minisrisë përkatëse dhe që të merren vendime nga Këshilli i Ministrave.
Nuk mund të mohohet se masa e sigurimit penal sjell pasoja në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit. Nëse këto pasoja janë të lejueshme nga Kushtetuta ose jo, por nuk mund të mohohet interesi konkret kushtetues për vënien lëvjzje të.
Nuk ka asnjë rëndësi fakti që Këshilli i Ministrave dhe ministri nuk janë palë sepse legjitimiteti kushtetues buron nga pasoja që sjell masa e sigurimit te veprimtaria e këshillit të ministrave dhe kryeministrit.
Sa i përket pretendimit se duhet të shterojnë shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, kjo vlen vetëm për ankimin individual, ndërsa është çështje tjetër ankimi që bën Këshilli i Ministrave dhe kryeministri për kompetencat që u cënohen nga kjo masë. Për këtë nuk ka asnjë detyrim për t’iu drejtuar shkallëve të tjera të kompetencës.
SPAK ka pretenduar se është vetë gjykata penale që vlerëson kufijtë e juridiksionit dhe kompetencës së saj. Këshilli i Ministrave dhe kryeministri nuk ka asnjë autoritet penal për t’ia parashtruar gjykatës penale sepse nuk janë palë në procesin e masës së sigurimit. Mjeti vetëm procedural në dispozicion është ankimi kushtetues për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet pushteteve. Ashtu si Kuvendi nuk ka detyrë që të presë ankimin individual, edhe Këshilli i Ministrave nuk ka asnë detyrë. Çdo pretendim është alogjik. Pushteti gjyqësor nuk ka të drejtë që në mënyrë të njëanshme të shkaktojë pezullimin e një dege të ekzekutivit. Nuk mund ta vendosë masën e sigurimit në mënyrë të njëanshme”, tha përfaqësuesja e Qeverisë.
Përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbi, i ka qëndruar të njëjtës linjë si ajo e Kryeministrisë, duke theksuar se pavarësisht se “ministrja nuk është një person i zgjedhur direkt me votë popullore, ajo ka marrë votëbesimin e Kuvendit, i cili në rastin e çështjes në fjalë u anashkalua nga SPAK dhe GJKKO”.
Kuvendin e cilësoi vendimin e GJKKO-së, pas kërkesës së SPAK, si një cënim të drejtëpërdrejtë të pushteteve. “Është një ndërhyrje e gjyqësorit në ekzekutiv”, tha përfaqësuesja e Kuvendit, sipas të cilës një rast i tillë cënon balancat mes pushteteve.
Arbi tha në seancën në Kushtetuese për çështjen Balluku, se sipas neneve përkatëse, deputetët gëzojnë imunitet dhe nuk mund të pengohen, arrestohen apo ndiqen penalisht pa miratimin e Kuvendit Popullor. Ndjekja penale mund të kryhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit, tha ajo.
Lini një Përgjigje