Ka nisur me debate seanca e sotme plenare, ndërsa shkak është përfshirja në rendin e ditës të 19 projektligjeve. Opozita e ka cilësuar të pamundur shqyrtimin e 19 projektligjeve. Ndërkohë në anën tjetër mazhoranca, përmes Taulant Ballës, ka kërkuar nga Kryetari i Kuvendit, që nga rendi i ditës së seancës të hiqen 4 projektligje. Sipas Ballës, kjo do të lehtësonte rendin e ditës së punës së Kuvendit, por tha se kjo nuk ka të bëjë me ndonjë marrëveshje mes palëve.
Qëndrimi i opozitës
Luçiano Boçi në emër të grupit parlamentar të PD-së ka kërkuar shtimin e numrit të seancave në Kuvend, kjo pas një rendi dite të ngarkuar me 19 projektligje. Ai shtoi se kjo mazhorancë po tenton t’i hedhë hi syve shqiptarëve, ndërsa shtoi se “Kuvendi po çmendet, po kthehet në qesharak dhe po trajtohet si kioskë”.
“Po tentohet që kjo hapësirë të bëhet një hapësirë pa arsye, për të mos thënë e çmendur. Sot shoh që kjo hapësirë po bëhet tërësisht e çmendur. Listuar një seri projektligjesh të rëndësishme që i keni përmbledhur në një seancë të vetme dhe kjo është tërësisht pa arsye.
Ajo hapësira e çmendur ka një arsye objektive. Të bëhesh i çmenduar me dashje është qesharake. Po e bëni të çmendur dhe qesharake Kuvendin. Të fusësh 19 projektligje në një seancë është që t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Shtoni seancat e kemi propozuar më parë. Kjo është të kthesh në kioskë Kuevndi, hajde kalojmë edhe një projektligj. Nëse vijojmë kështu, kjo nuk ka kuptim. Shtoni seancat, reflektoni”, tha Boçi.
Gjithashtu deputetja Jorida Tabaku ka kërkuar që nga rendi i ditës së punimeve të Kuvendit të hiqen edhe ndryshimet në Kodin Penal. Tabaku tha se ligje të tilla, për të cilat ka kritika qoftë edhe nga Bashkimi Europian, nuk mund të kalojnë për miratim pa përmbyllur diskutimet në komisionet parlamentare.
Ndërkohë, Eno Bozdo ka kërkuar që ligji për lobimin është shumë i rëndësishëm që propozohet në kulmin e një debati europian. Sipas tij, ky projektligj duhet të ketë konsultim me grupe interesi.
“Duhet të tërhiqet nga rendi i ditës, për t’i dhënë hapësirën që meriton, Ngre shqetësimin që u ngrit nga shumë kolegë, pasi këto projektligje nuk marrin kohën e duhur për t’u konsultuar”, tha Bozdo.
Qëndrimi i mazhorancës
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka propozuar shtyrjen e votimit të katër projektligjeve për një javë.
“Ndoshta do të mendoni se kemi bërë marrëveshje, por bazuar në rregullore, do të kërkoja shqyrtimin për një javë të katër projektligjeve. Shtyrjen e parë e kërkoj për propozimin e kolegëve, pasi janë projektligje që duhen rakorduar me Komisionin Evropian”, u shpreh Balla.
Ai sqaroi se shtyrja do të përfshijë projektligjin për disa shtesa në kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e lëndëve narkotike, projektligjin për mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe dy projektligje të tjera. Sipas Ballës, shtyrja do të ndihmojë në një shqyrtim më të plotë të akteve ligjore dhe në lehtësimin e rendit të ditës së seancës parlamentare.
Lini një Përgjigje