TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Gusht 2023, 07:30

Anëtarësimi i Ballkanit, Macron kërkon reforma të guximshme nga BE: Unioni duhet të ecë me shpejtësi!

Shkruar nga Pamfleti
Anëtarësimi i Ballkanit, Macron kërkon reforma të guximshme
Emmanuel Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se Bashkimi Evropian duhet të evoluojë drejt një bashkimi "me shumë shpejtësi", duke nënvizuar nevojën për reforma të guximshme dhe të thella institucionale në një proces eventual zgjerimi.

“Është rrezik të mendosh se mund të zgjerohesh pa reforma. Mund të dëshmoj se është mjaft e vështirë për Evropën të përparojë në tema komplekse dhe të ndjeshme me 27 anëtarë. Me 32 ose 35 anëtarë, nuk do të jetë më e lehtë,” tha ai në takimin vjetor të ambasadorëve francezë në Paris .

Ndërkohë procesi i integrimit të Ballkanit në Bashkimin Europian duket se po merr një fije shprese përshpejtimi, pasi lufta e Rusisë në Ukrainë i ka zgjuar nga letargjia teknokratët e Brukselit dhe liderët e Unionit.

Blloku mund të shkojë në 30 apo 35 anëtarë, por kësaj herë kërkohet përfshirja e Ukrainës dhe e Moldavisë.

Vetë presidenti Emmanuel Macron në takimin me ambasadorët e shtetit të tij ka dhënë sinjale për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

“Politico” citon presidentin Macron të ketë thënë të hënën se “BE-ja duhet të evoluojë drejt një bashkimi me shumë shpejtësi”, duke marrë në konsideratë integrimin e Ukrainës, Moldavisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Macron tha se BE-ja duhet të reformohet nëse dëshiron të integrojë shtete të reja dhe duhet të ndërtojë konsensus me më shumë se 30 vende anëtare.

"Ne do të kemi nevojë për guxim, për të pranuar më shumë integrim në disa fusha dhe ndoshta edhe një Evropë me shumë shpejtësi", theksoi ai.

Edhe pse nuk ka dhënë detaj për rrugën se si do të realizohet kjo, “Politico” ka mësuar se presidenti francez mund të paraqesë disa propozime për të realizuar një integrim të shpejtë të këtyre vendeve aspirante. Por ai shtoi se një rishikim i procedurave të BE-së ishte i nevojshëm që blloku të thellohej dhe të ruante "tërheqjen e tij".

Sipas disa zyrtarëve francezë, qeveria e Macron po punon për disa propozime për një Evropë me shumë shpejtësi, e cila do të përfshinte krijimin e grupeve joformale të vendeve anëtare që do të punonin në fusha specifike të politikave.

Macron la të kuptohet gjithashtu se ai do të detajojë mendimet e tij për zgjerimin dhe reformën e BE-së në muajt në vijim dhe përpara zgjedhjeve të BE-së të vitit të ardhshëm.

Ukrainës dhe Moldavisë iu dha statusi i kandidatit për në BE në qershor dhe disa zëra po bëjnë thirrje që BE të hapë bisedimet e pranimit deri në dhjetor.

macron kërkon reforma të guximshme nga be

Lini një Përgjigje