
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka folur lidhur me amnistinë e pritshme penale duke thënë se do të lehtësojë sistemin e burgjeve.
Manja sqaroi se numri i të paraburgosurve në burgjet e vendit është shumë më i lartë sesa standarti evropian.
“Ka një numër të caktuar se sa banorë rezidentë mund të akomodohen në struktura. Sot që flasim jemi në kapacitetet tona maksimale. Kemi 5970 të dënuar dhe të paraburgosur dhe persona me masë mjekësore që janë banorë rezidentë në këto 19 struktura. Janë 3300 të paraburgosur dhe 2207 të dënuar. Referuar standarteve evropiane, numri i të paraburgosurve duhet të variojë nga 25-30 përqind e numrit të të dënuarve. Ne i kemi të përmbysura këto raporte. Numri i të paraburgosurve është 1193 më shumë sesa numri i të dënuarve. Ne sot kemi 2600 më shumë po t’i referohemi standarteve të BE-së. Kemi një kosto ditore për çdo të paraburgosur. 2600 të paraburgosur x 12 muaj i kushton buxhetit 22 milionë euro. Nëse do kishim një sistem që funksionon në mënyrë perfekte dhe merr në konsideratë respektimin e të drejtave themelore të njeriut, ne do të duhet të kishim 700 të paraburgosur dhe do t’i kishim kursyer buxhetit të shtetit 22 milionë euro”, u shpreh ministri Manja në intervistën e tij për ABC News.
Lini një Përgjigje